English

Reportazh/ Himarë: Ndërtimi I Rrugëve Në Bregdet, Rrit Kapacitetet Turistike

HIMARË, 26 maj/ATSH-H.Koçi/ - Të zbresësh nga rruga kombëtare Vlorë-Sarandë, për në bregdetin dhe plazhin e mrekullueshëm të Jalës, në rrugën që dikur zgjaste rreth një orë, tani mjaftojnë të paktën 10 minuta. Pas ndërtimit të rrugës me parametra bashkëkohorë, udhëtimi është i këndshëm, me pamje të jashtëzakonshme të bregdetit të kësaj zone. Rikonceptimi i gjurmës së këtij segmenti rrugor është bërë në përputhje me veçoritë natyrore të kësaj pjese të bregdetit. Kjo rrugë, dikur një segment i ndërtuar për nevoja ushtarake, tashmë e ka lënë pas të shkuarën. "Rruga ka përfunduar vetëm para pak ditësh dhe aktualisht në të po kryhet vijëzimi, por efektet kanë nisur të ndihen", thotë Thanasi, një nga operatorët turistikë në plazhin e Jalës. Ai ndihet mjaft i kënaqur dhe optimist për këtë sezon. Nuk harxhon shumë kohë për të bërë furnizimin me produkte të lokalit të vet, ndërkohë që harxhon shumë më pak karburant për automjetin. Por edhe pushuesit dhe turistët e huaj, sipas tij, do të jenë më të shumtë në numër, sepse udhëtimi në rrugën e re është shumë komod. "Ishte një mundim i vërtetë dikur, qarkullimi në këtë rrugë dhe pushuesit e përshkonin atë për rreth 40 minuta dhe në kushtet e një rreziku që u qëndronte përherë pranë, për shkak të ngushtësisë së saj dhe mungesës së të gjitha elementëve të sigurisë", tregon 55 vjeçari, teksa tregon me dorë rrugën moderne që zbret butë nga lartësia e malit. -Rrugë të reja, përgjatë gjithë bregdetit- Me përfundimin, një vit më parë të rrugës së Bregut, nga Vlora në Sarandë, fluksi i pushuesve dhe turistëve të huaj, në sezonin veror 2009, pothuajse u dyfishua. Ky investim, i realizuar nga qeveria shqiptare, që vlerësohet si projekti më i madh i konkretizuar ndonjëherë në histori, në këtë pjesë të bregdetit shqiptar, u mirëprit dhe u vlerësua nga banorët e zonës dhe nga operatorët turistikë. Por, mungesa e standardeve në segmentet që lidhin këtë aks me plazhet, ndihej mjaft. Ajo shfaqej në këtë gjithë këtë gjatësi bregdetare. Në plazhin e Dhërmiut, në atë të Dhromadhes, në Jalë, ku trafiku bllokohej shumë shpesh. Ndërkohë, mjedise të tilla si plazhi i Livadhit frekuentoheshin shumë pak, për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore. Sivjet do të jetë ndryshe, shumë më ndryshe. Në një pjesë të plazheve është realizuar mbi 90 përqind e volumit të përgjithshëm të punimeve, në të tjerat diçka më pak, por në to punohet me mjaft intensitet. "Brenda qershorit punimet do të përfundojnë", thotë Edi, një nga drejtuesit e kompanisë "Gjikuria", që po ndërton rrugën që lidh Dhërmiun me plazhin e mrekullueshëm të Dhromadhes, ku ndodhet edhe kompleksi mjaft i frekuentuar, i emërtuar "Lolipop". Pirroja, administrator i një lokali në plazhin e Dhërmiut, thotë se, me gjerësinë që ka rruga e re që po ndërtohet, do të shmangen plotësisht problemet e rënda të bllokimit të trafikut, një "sëmundje" shumëvjeçare për këtë pjesë të bregdetit shqiptar të Himarës. Aktualisht, bregdeti i Himarës, ka një kapacitet akomodues prej 25-30 mijë shtretërish. Struktura turistike, akomoduese, përbëhet nga tre kategori, mes të cilave, ajo hotelerike, me rreth 3000 shtretër, turizmi familjar, me rreth 15 mijë shtretër dhe, kategoria e përzier, ku, nuk ka një profil të saktë hotelerik, apo familjar. Bregdeti me gjatësi rreth 30 km, e ka justifikuar këtë interesim dhe këtë përzgjedhje të pushuesve, ardhja e të cilëve është ndikuar nga disa faktorë, mes të cilëve, pastërtia e bregdetit, klima e përshtatshme, qetësia, përmirësimi i infrastrukturës./ch/
KOMENTE