English

Bushati: Transparencë për zgjedhjet, që të mos rrezikohen vizat

Tiranë, 27 maj, NOA – Në kushtet e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave nuk është përmendur situata politike në vend. Megjithatë, Partia Socialiste pas vlerësimit të vendimit të KE-së, i kujton mazhorancës se transparenca e zgjedhjeve është një proces që mund të ndikojë në liberalizimin e vizave.

Në emër të Partisë Socialiste, deputeti Ditmir Bushati, e cilësoi vendimin e KE-së si historik dhe kërkoi nga Kryeministri Berisha dhe qeveria trajtimin me seriozitet të rekomandimeve.

“PS i bën thirrje mazhorancës dhe kryeministrit që të demonstrojnë përgjegjshmëri në këto momente historike duke lejuar transparencën kushtetuese të procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009, në mënyrë që t’i jepet fund krizës politike dhe qeverisëse përmes një zgjidhje të ndershme e të qëndrueshme që në të njëjtën kohë nuk do të rrezikonte procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëdhënien tonë me Bashkimin Europian”, u shpreh Bushati.

Në emër të PS-së, Bushati shprehu mirënjohjen për Komisionin Europian, i cili propozoi sot heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

“Partia Socialiste falënderon angazhimin e institucioneve të Bashkimit Europian për ta trajtuar me përparësi procesin e liberalizimit të vizave, duke qenë të vetëdijshëm se vonesat në këtë proces kanë ardhur jo si pasojë e vullnetit të munguar të BE, por si rezultat i mungesës së seriozitetit të qeverisë shqiptare në realizimin e reformave”, u shpreh Bushati.

Deklarata e PS-së e lidh në vendimin e KE-së me zhvillimet e brendshme në vend duke shpresuar që heqja e vizave të “shërbejë si shtysë për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë”.

m.xh/NOA

KOMENTE