English

Kakavije: Protesta E Fermerëve Greke Bllokon Lëvizjen E Automjeteve Në Pikën Kufitare Të Kakavijes

KAKAVIJE, 27 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Dogana greke e Kakavijes bllokoi sot në orën 16.00 pa paralajmërim lëvizjen e automjeteve në të dyja anët e kufirit për shkak të protestës së fermerëve grekë, në vendin e quajtur "Hani", 2 km në thellësi të territorit grek. Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, bëri të ditur për ATSH-në, se kjo situatë ka bërë që në doganën së Kakavijës të krijohet një rradhë e gjatë automjetesh deri në 700 metra. Sipas tij, dogana greke trajton vetëm këmbësorët, ndërkohë që automjeteve do t'u duhet të presin përfundimin e grevës, që parashikohet në orën 20:00. Në prefekturën e Qarkut të Gjirokastrës, në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë, dy pika të kalimit kufitar, ajo e Kakavijes, rreth 30 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe e "Tre Urave", që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit. Ndërsa, pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët. /s.s./
KOMENTE