Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shërbimet sociale, Ministri i Punës Ksera kritikon bashkitë e mëdha
English

Shërbimet sociale, Ministri i Punës Ksera kritikon bashkitë e mëdha

Tiranë, 27 Maj 2010 NOA/ Blerina Ahmetaj - Ministri i Punës Spiro Ksera ka fajësuar sot pushtetin vendor se nuk po zbaton ligjin e decentralizimit, për të marrë përgjegjësitë e tij, në administrimin dhe monitorimin e institucioneve të transferuara të përkujdesjes sociale.

“Qëllimi i politikave të shërbimeve shoqërore është krijimi i një sistemi shërbimesh sociale, me standarde bashkëkohore për rehabilitimin dhe riintegrimin e grupeve dhe individëve në nevojë në jetën normale”, u shpreh sot Ministri i Punës, Spiro Ksera, në Komisionin parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në të cilin raportoi rreth gjendjes aktuale të institucioneve të përkujdesit social, arritjeve dhe sfidave për përmirësimin dhe transformimin e sistemit.

Duke iu referuar kryesisht bashkive të mëdha që administrohen nga të majtët, si Tirana e Durrësi, ministri Ksera ka theksuar se këto bashki ndonëse kanë të ardhura më të mëdha e më shumë mundësi për të ngritur shërbime sociale, gjatë kësaj periudhe nuk ka ngritur asnjë qendër të re për grupet në nevojë.

“Bashkitë e mëdha të cilat kanë të ardhura më të mëdha por dhe mundësi, si në Tiranë e Durrës nuk kanë bërë asgjë për ngritjen e shërbimeve të reja sociale.

Në Tiranë funksionon vetëm një qendër komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe të moshuar ndërsa në bashkinë e Durrësit një qendër ditore për të moshuarit”, u shpreh ministri.

Sipas Kserës, me fondet e buxhetit të shtetit, ministria e Punës ka mbështetur bashkitë e largëta duke ngritur në to katër qendra të reja, në Elbasan për fëmijët me aftësi të kufizuar, në Kucovë e Kukës po për këtë kategori si dhe në Berat një shtëpi familje për personat me aftësi të kufizuar.

Nga ana tjetër, ministri ka pranuar se lëvizjet e shpeshta që kanë ndodhur vitet e fundit në institucionet e përkujdesjes si pasojë e ndryshimit të drejtuesve në dikasterin e tij, ka ndikuar në performancën e punës sociale dhe nivelin e shërbimeve që ofrojnë këto institucione.

Ksera vlerësoi si një nga arritjet e Qeverisë shqiptare në pesë vitet e fundit implementimin e standardeve të përkujdesit shoqëror për kategori të veçanta, të cilat kontribuojnë në rritjen e cilësisë së shërbimit.

Në fjalën e tij, Ministri u ndal edhe në përgjegjësinë që merr pushteti vendor, në kuadër të procesit të decentralizimit, për të ngritur shërbime të reja komunitare për grupet në nevojë, bazuar në identifikimin e nevojave.

Sipas Ministrit Ksera, “kjo përgjegjësi nuk është realizuar me shumë efektivitet nga njësitë vendore, veçanërisht njësitë e mëdha, të cilat kanë edhe mundësi në buxhetin e tyre për të ngritur dhe mbajtur shërbime të tilla”.

b.a/r.n/NOA

KOMENTE