English

Vizat/Malstrom:Pas Rekomandimit Të Ke-Së, Në Verë Grup Monitorimi

TIRANË, 27 Maj/ATSH/.-Komisionerja për Çështjet e Brendshme në Komisionin Europian, Cecilia Malstrom deklaroi sot gjatë një konference për shtyp në Bruksel, se pas rekomandimit të Kolegjit të Komisionerëve për heqjen e vizave, në verë do të vijnë në Tiranë ekspertët e KE-së për të monitoruar plotësimin e kritereve të paplotësuara deri tani nga pala shqiptare, në procesin e liberalizimit të vizave. Sipas saj, procedura e ndjekur më pas do të jetë e njëjtë me atë që u ndoq vjet për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. "Është e njëjta procedurë si vitin e shkuar me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë kur Komisioni bën propozimin dhe ka disa kushte që vendet duhet t'i plotësojnë. Pra, ekspertët do të monitorojnë në verë, pastaj vendimi merret më pas nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave dhe besojmë se ai do të hyjë në fuqi në dhjetor, siç hyri vitin e shkuar për tre vendet e mësipërme. Por, sot nuk mund të jap një datë finale për liberalizimin e vizave", nënvizoi komisionerja Malstrom. Zyrtarja e KE-së e konsideroi rekomandimin e miratuar dje nga Kolegji për liberalizimin e vizave për Shqipërinë e Bosnjën, një hap të rëndësishëm dhe sipas saj, Komisioni është i vendosur të ecë përpara. "Ne sot dhamë rekomandimin dhe do të fillojmë të punojmë shumë shpejt për kriteret që duhet të përmbushen. Është bërë mjaft punë nga Shqipëria e Bosnje-Hercegoniva dhe ka mbetur shumë pak për t'u bërë. Besoj tek autoritetet shqiptare dhe boshnjake se do t'i plotësojnë ato", theksoi Malstrom. Komisionerja e KE-së vlerësoi punën e autoriteteve shqiptare për fushatën e mirë të informimit që ka bërë me qytetarët shqiptarë për t'iu shpjeguar rëndësinë e liberalizimit të vizave. E pyetur për ecurinë e këtij procesi me Kosovën zyrtarja e KE-së tha se "autoritetet kosovare duhet të fitojnë kredibilitetin në liberalizimin e vizave si dhe në plotësimin e kushteve. Ne me zyrtarët kosovarë do të shqyrtojmë mundësinë që të ecim përpara, në mënyrë që gjithë kontinenti të ketë mundësi të udhëtojë pa viza". Malstrom tha se së shpejti do të mbahet në Luksemburg takimi i Ministrave të Brendshëm të BE-së, i cili do të informohet për ecurinë e procesit me dy vendet e Ballkanit. /a.s//n.m/
KOMENTE