English

I plotë - Incidenti te dyqani i celularëve dyshohet se ishte një përpjekje për grabitje

Arrestohet pa rezistencë Elton Sulejmani, një 28-vjecar nga Shkodra. Nuk mori peng asnjë person por u ngujua disa minuta brenda dyqanit të shitjes së produkteve të “Vodafone” derisa u dorëzua pa rezistencë te forcat policore

Tiranë, 29 Maj 2010 NOA – Incidenti që ndodhi mesditën e sotme te dyqani i celularëve, pikë shitjeje dhe shërbimesh të kompanisë “Vodafone”, dyshohet se ishte një përpjekje për grabitje, por përfundoi pa sukses për autorin pasi punonjësja e dyqanit njoftoi policinë e cila nderhyri energjikisht e po ashtu dhe sistemi i kamerave ishte efektiv.

Zyrtarisht u konfirmua arrestimi në kushtet e flagrancës së 28 vjecarit Elton Sulejmani me vendbanim në Shkodër por që prej kohësh jetonte në Tiranë.

Burime zyrtare të policisë së Tiranës i treguan në vendngjarje gazetares së agjencisë NOA, detaje nga incidenti i nisur rreth 20 minuta pas mesditës së sotme.

Elton Sulejmani ka hyrë në dyqanin e celularëve që ndodhet në kryqëzimin mes bulevardit “Zogu i Parë” dhe unazës te Stacioni i Trenit në Tiranë.

Ai mendohet se në kushte të luhatjeve mendore, ka pasur si qëllim të grabisë dyqanin madje për këtë ka paraqitur dhe një armë zjarri.

I dyshuari në kushte të paqartësive mendore ka kryer veprime të paqarta dhe ka precipituar në kufijtë e një pengmarrjeje disaminutëshe por jo njerëzish sepse shitësja ka dalë nga objekti dhe i dyshuari ka mbetur i vetëm në dyqan derisa erdhi policia që i dha fund incidentit.

Në vendngjarje vec policisë së Tiranës atje shkuan dhe forca të RENEA-s.

Ata ndërhynë energjikisht, të ndihmuar nga informacioni që punonjësja e dyqanit i dha sallës operative policore duke njoftuar dhe sistemit të kamerave vëzhguese të dyqanit.

I dyshuari është dorëzuar pa rezistencë duke mbyllur kështu kapitullin ende të pasqaruar plotësisht të kësaj ngjarjeje që mblodhi disa dhjetëra njerëz kureshtarë.

r.n/NOA

KOMENTE