English

Pd: Rama Të Mos Konvertojë Ofertat E Qeverisë Në Mandat Për Të Ngritur Veten Mbi Ligjin

TIRANË, 29 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Partia Demokratike i bëri thirrje sot Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të mos i konvertojë ofertat e qeverisë në një mandat për të ngritur veten mbi ligjet, pasi atëherë do të përballet me to. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, siguroi se "shteti ligjor do predominojë mbi këtë psikologji totalitare të kreut të PS-së". Mëhilli iu referua deklaratës së djeshme të z. Rama, sipas së cilit, "qeverisë nuk i kërkon kush të ofrojë hapësirë për opozitën, po i kërkojmë të mos pengojë opozitën të shfrytëzojë hapësirën që i jep Kushtetuta, ligji dhe mandati i popullit". Duke u bazuar në këtë deklaratë, Mëhilli theksoi se "Kushtetuta dhe ligji nuk e detyron Qeverinë dhe mazhorancën të marrë pjesë në një komision parlamentar hetimor për zgjedhje të çertifikuara sipas standardeve kryesore të OSBE/ODIHR-it dhe në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit apo numërim të parregullt". "Kushtetuta dhe ligjet e vendit nuk parashikojnë kërkesën për të patur shumicën në komisionin hetimor parlamentar, pasi ligji për këto komisione i miratuar nga qeveria e Partisë Socialiste përcakton se përbërja e këtyre komisioneve duhet të jetë proporcionale me përbërjen e Parlamentit. Ky ligj i njeh atij të drejtën vetëm për kryetarin por jo për shumicën", tha Mëhilli. Sipas saj, "Edi Rama duhet të tregojë se në cilën Kushtetutë apo ligj të vendit ekziston e shkruajtur se zoti Rama ka të drejtën ekskluzive të hartimit të të gjitha amendamenteve për rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme". /a.ke/
KOMENTE