English

Policia flet për ngjarjen te Stacioni i Trenit: Autori ka probleme psikike

Tiranë, 29 maj, NOA – Personi që ka tentuar të grabis ditën e sotme në afërsi të Stacionit të Trenit ka probleme mendore. Ky është versioni i policisë në njoftimin zyrtar që ka nisur në lidhje me ngjarjen që tronditi kryeqytetin.

“Gjatë intervistimit të marrë nga specialistët e hetimit të krimit dhe nga verifikimet e kryera, rezultoi se ky shtetas paraqet turbullime psikike”, thuhet në njoftimin e Policisë. Gjithashtu policia jep dhe detaje në lidhje me ngjarjen.

“Sot rreth orës 11.45’ shërbimet e policisë morën njoftim se në afërsi të stacionit të Trenit në Bulevardin “Zogu I” në Tiranë, një shtetas i armatosur ka hyrë në ambientet e një dyqanit “Vodafon””, thuhet në njoftim.

Policia sqaron se menjëherë, pas marrjes së këtij informacioni, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë dhe Forcat e Posaçme, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, kanë bërë kufizimin e zonës përreth si dhe bllokimin e ambienteve të këtij dyqani.

“Përreth 30 minutave, strukturat e policisë kanë negociuar me personin e armatosur dhe si rezultat i organizimit të operacionit me pjesëmarrjen e Forcave Renea u bë e mundur kapja e autorit, i cili rezultoi të jetë shtetasi Elton Sutermani, 28 vjeç, lindur e banues në Shkodër”, thuhet në njoftim.

Policia sqaron se nga “ verifikimet e bëra në vendngjarje rezultoi se autori ka përdorur një armë pistoletë lodër, ku për motive të dobëta ka tentuar të mbajë peng shitësen e këtij dyqani”.

Ndaj këtij shtetasi u mor masa e arrestit në flagrancë, vazhdon kryerja e veprimeve proceduriale dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, përfundon njoftimi i policisë në lidhje me ngjarjen.

m.xh/NOA

KOMENTE