English

Sarandë: Promovohet Trilogjia Për Hasan Tahsinin

SARANDË, 29 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/.- Vepra dhe jeta e dijetarit të shquar Hasan Tahsini është nderuar të shtunën me rastin e promovimit të tre vëllimeve kushtuar kësaj figure me origjinë nga Saranda, përgatitur nga studiuesi Laurant Bicaj. Prof. Dr Musa Kraja tha se studiuesi Bicaj, ka projektuar dimensionin europian dhe shkencor të veprës së Hasan Tahsinit, duke e vlerësuar atë si një figurë të papërsëritur. Si përcaktim konçiz, se kush është Hasan Tahsini, Kraja citon një nga nxënësit e dijetarit të madh, Sami Ferashërin: "Tahsini ishte nga ata njerëz që kohërat i nxjerrin rrallë dhe me vështirësi". Tahsim Besho, studiues, e ka quajtur vendlindjen e Hasan Tahsinit, fshatin Ninat të Sarandës, si djep gjigant që ka përkëlundur mendje të ndritura. Historiani Isuf Bastriu solli një informacion të vlerësuar origjinal përmes vendit që zë kjo figurë në krijimtarinë popullore. Veprimtari politik dhe shkrimtari nga Kosova, Adem Demaçi tha se, Hasan Tahsini ka qenë dhe është i pranishëm edhe në Kosovë, duke kërkuar që kjo figurë të jetë një pikë referuese e aftësisë shkencore, intelektuale dhe nacionale. "Ata ishin dhe janë heronjtë tanë dhe jo unë" tha Demaçi, i cili njihet si Mandela i Kosovës, për kohën e gjatë që kaloi në burgjet serbe. Dashamir Tahiraj, deputeti i PDU, tha se "Hasan Tahsini është një vlerë e çmuar edhe në luftën për çështjen kombëtare". Gafur Ibrahimi, "Mësuesi i Merituar", u shpreh se ky ishte një libër i munguar dhe e ka vlerësuar trilogjinë e promovuar sot si "A-në" e korpusit të veprave që do të vijnë më pas për Hasan Tahsinin. Ndërsa ish diplomati, Esat Myftiu, u ndal në ndihmesën e Hasan Tahsinit, si atdhetar dhe si njeri i politikës dhe diplomacisë. "Hasan Tahsini është pionier i diplomacisë kulturore shqiptare", pohoi Myftiu. Pak biografi Hasan Tahsini lindi më 1811 në fshatin Ninat (Sarandë) dhe vdiq më 4 korrik 1881. Qysh në moshë të vogël ai u dha pas mësimit e diturisë, mbaroi shkollën e ulët në fshat dhe vazhdoi studimet në një nga medresetë më të dëgjuara të Stambollit, Turqi. Ai bëri kërkime në fusha të ndryshme të shkencave natyrore, që i paraqiti në mjaft artikuj dhe libra shkencorë në gjuhën turke, midis të cilëve dallohen "Psikologjia" dhe "Bazat e astronomisë". Hasan Tahsini, ashtu si rilindësit e tjerë të shquar, e kuptoi se një nga fushat më të rëndësishme të luftës për çlirimin e Shqipërisë dhe lartësimin e popullit të saj, ishte ajo e shkrimit të gjuhës shqipe dhe e përhapjes së diturisë në gjuhën shqipe. Për këtë ai në vitet '60 të shek. XIX, në bashkëpunim dhe me patriotë të tjerë, si Kostandin Kristoforidhin, filloi të mendojë e të punojë për krijimin e shoqërive që do të punonin për përhapjen e diturisë midis shqiptarëve dhe për hartimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe. Është i njohur projekti i tij i alfabetit të gjuhës shqipe me 30 bashkëtingëllore dhe 3 zanore, i hartuar në fillim të viteve '70, ku më pas mori pjesë në komisionin që hartoi alfabetin e Stambollit./ch/
KOMENTE