English

Shpallen Fituesit E "Aiitc 2009"

TIRANË, 29 Maj/ ATSH- Suada Daci/.- Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam shpalli paraditen e së shtunës në një ceremoni të zhvilluar në Hotel "Rogner", fituesit e çmimeve "AIITC 2009". Në konkursin që zhvillohet për të katërtin vit radhazi, u vlerësuan me çmime artistë, të cilët gjatë një viti më parë botuan libra në fushën e shkencës dhe kulturës islame si dhe krijuan peizazhe. Gjithashtu, u vlerësuan dhe artistë të rinj, të cilët u paraqitën në këtë konkurs me botime të veçanta në poezi dhe prozë me temë "E bukura në shpirt dhe në jetë". Si libri më i mirë i botuar në vitin 2009 në fushën e shkencës dhe kulturës islame u vlerësua Fjalori "Arabisht-Shqip" me 70.000 fjalë, i ish-diplomatit Sulejman Tomçini. Ndërkohë, në këtë kategori me çmime inkurajuese u vlerësuan dhe librat e autorëve Edvin Cami "Gëtja mes Perëndimit dhe Misticizmit Oriental" si dhe libri "Ti, vetvetja dhe çështjet e tua", e autorit Avni Tafili. Peisazhi më i bukur në penelet e piktorëve shqiptarë, nga 7 artistë pjesëmarrës, u përzgjodh ai i piktorit Orion Shima, me motivacionin si vepër e artit shqiptar bashkëkohor. Në kategorinë e krijimtarisë letrare të moshave të reja u vlerësua me çmimin e parë Ivana Dervishi me Poezi. Ndërkohë, në këtë kategori u dhanë edhe katër çmime inkurajuese të rinjve Artur Deda, Fatime Zenelhasani, Stela Keta dhe Dorina Behari. Qëllimi kryesor i zhvillimit të këtij aktiviteti nga organizatorët u cilësua stimulimi i krijuesve të rinj të talentuar në fushën e shkencës dhe artit në Shqipëri. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar si institucion i pavarur që prej vitit 1996. Veprimtaritë që zhvillon AIITC janë të karakterit shoqëror, kulturor dhe shkencor dhe gama e tyre shtrihet tek të gjitha grupmoshat. Veprimtaria e Institutit shtrihet edhe në botimin e librave, shfaqje dokumentarësh, zhvillime simpoziumesh shkencore dhe pjesmarrje në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare. /a.ke/
KOMENTE