English

Sport-Merkato/ Flamurtari Rikonfirmon Titullarët, Skëndërbeu Në Kërkim Të Trajnerit

TIRANË, 29 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Skëndërbeu dhe Flamurtari, dy ekipe që e nisën keq sezonin e sapombyllur të Superligës, por që arritën të shpëtonin nga rënia në javët e fundit, po fillojnë të mendojnë që tani për merkaton verore. Flamurtari, vendi i pestë në sezonin e kaluar, ka nisur zyrtarisht merkaton edhe pse në fakt bëhet fjalë vetëm për rikonfirmime lojtarësh. Klubi vlonjat, 1 herë kampion i Shqipërisë dhe 3 herë fitues Kupës së Shqipërisë, konfirmoi për edicionin e ardhshëm Artan Sakajn, Gerhard Prognin dhe Njazi Lenën. Mbrojtësi Elton Grami, të cilit i ka mbaruar kontrata, ka shprehur dëshirën e tij për të vazhduar me Flamurtarin. Ndërkohë, drejtuesit vlonjate kanë bërë një ofertë prej 110 mijë eurosh ndaj Migen Memellit, sulmuesit pogradecar që shënoi 14 gola me Flamurtarin sezonin e kaluar. Në pikëpyetje për t'u larguar nga Flamurtari janë Franc Veliu, Shpëtim Moçka, Halim Begaj dhe kroati Puljiz. Ndërkohë që Skënderbeu i Korçës, pas mbijetesës në Kategorinë Superiore, ka nisur të mendojë seriozisht për sezonin e ri, ku sipas presidentit të klubit, Agim Zeqo, objektivi i madh është një vend në dy kompeticionet europiane. Merkato e Skënderbeut do të nisë nga pankina, ku pas konfirmimit të largimit të Mirel Josës në mjedisin e 1-herë kampionëve të Shqipërisë, shihet mundësia e punësimit të një trajneri të huaj. Ndërsa emrat kryesorë të trajnerëve shqiptarë për pankinën korçare janë Astrit Hafizi e Shkëlqim Muça. Por, në klubin korçar kanë projektuar edhe disa emra në merkato: portieri i Besës, Orges Shehi si dhe mesfushori korçar Bledi Shkëmbi (po i Besës) janë në planet e afërta të Skënderbeut. Nga ekipi është larguar golashënuesi më i mirë i saj, kroati Milaim Guerrib, që shënoi 11 gola sezonin e kaluar. /a.ke/
KOMENTE