English

Belgjikë - Flotilja - Manifestime Pranë Ambasadës Së Izraelit

BRUKSEL, 31 maj /ATSH-AFP/ - Qindra persona manifestuan sot orët e fundit të ditës pranë ambasadës së Izraelit në Bruksel për të dënuar sulmin izraelit kundër një flotiljeje humanitare që ishte nisur për në Gaza dhe për të kërkuar sanksione kundër shtetit hebre. "Izrael vrasës" shkruhej në parrullat që mbanin në duar manifestuesit, disa prej të cilëve kishin veshur bluza me ngjyrë të gjelbër dhe kërkonin "bojkot Izraelit". Në turmë shiheshin shumë flamuj palestinezë. Manifestuesit, rreth 500 persona sipas vlerësimeve, iu ishin përgjigjur thirrjes së Lidhjes Arabe Evropiane dhe kërkonin heqjen e menjëhershme të bllokimit të territoreve palestineze. Ambasada e Izraelit mbylli dyert dhe u mbrojt nga një numër i madh forcash policore. Sipas një televizioni izraelit, të paktën 9 pasagjerë janë vrarë gjatë sulmit të ndërmarrë nga komando izraelite kundër flotiljes ndërkombëtare të militantëve propalestinezë të cilët po përpiqeshin të çanin rrethimin izraelit të Rripit të Gazës. Ushtria izraelite përmendi 10 të plagosur në radhët e saj, dy prej të cilëve rëndë. Shefi i diplomacisë belge, Steven Vanackere, e cilësoi "të papranueshme" bllokimin e Gazës. "Përdorimi i forcës ushtarake dhe dhunës për të garantuar këtë bllokadë është për të ardhur keq". Homologu i tij i ngarkuar me Bashkëpunimin për Zhvillim Charles Michel kërkoi "një mbledhje urgjente të ministrave evropianë të ngarkuar me ndihmën humanitare dhe bashkëpunimin për zhvillim. "Është nevojë urgjente që Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të bashkërendojnë një përgjigje të fortë dhe të shpejtë përballë këtij përdorimi të dukshëm dhe të papërshtatshëm të forcës në kuadrin humanitar më të vështirë që po kalon Rripi i Gazës nën bllokadën e autoriteteve izraelite", këmbënguli ai në një komunikatë. Për këtë qëllim janë vendosur kontakte me Catherine Ashton, shefen e diplomacisë së Bashkimit Evropian, si dhe me presidencën spanjolle, shtoi Michel. Belgjika do të marrë më 1 korrik presidencën gjashtëmujore të radhës së Bashkimit Evropian. /I.Pu.
KOMENTE