Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Inva Mula dhe Genc Tukiçi, koncert i jashtëzakonshëm në Orlean
English

Inva Mula dhe Genc Tukiçi, koncert i jashtëzakonshëm në Orlean

Orlean, 31 Maj, NOA /Milena Selimi – “Unë nuk e di sa e ndiej veten të aftë për ta çuar deri në fund këtë mision të promovimit të imazhit të Shqipërisë, por të paktën kontributi im, sado modest, nuk mungon”, - kështu u shpreh në një intervistë për median, vite më parë, soprano e mirënjohur shqiptare Inva Mula.

Ajo mbetet një nga artistet shqiptare që ka thyer fillimisht mitin e ftohtë të Parisit dhe më pas në të gjitha skenat botërore, duke u kthyer në një muzikë internacionale.

E ftuar nga shoqata “Shqiptarët e Francës” soprano e mirënjohur dha mbrëmë, më 30 maj, një koncert në Orlean, e shoqëruar në piano nga një tjetër artist i njohur, David Tukiçi.

Dy artistët sollën në këtë mbrëmje të veçantë jo vetëm tingujt botërore të muzikës, por edhe ata shqiptarë.

Të lirë dhe të talentuar, të përkushtuar dhe pasionantë, ata të dy krijuan emocione të jashtëzakonshme në këtë koncert.

“Liria e brendshme është forca e talentit dhe individualitetit të një artisti, ndërsa liria artistike ka të bëjë me respektimin rigoroz të partiturës, traditës dhe personazhit. Sekreti qëndron në ekuilibrimin e këtyre të dyjave duke mos i cenuar reciprokisht ato”- është shprehur Mula, kohë më parë.

Muzika në vetvete mbart paqen, ajo nuk njeh kufij, besim, apo gjuhë. Ndoshta për këtë arsye, në mbrëmjen e djeshme salla e Orleanit ishte e tejmbushur me spektatorë që kishte ardhur të ndiqte nga afër mrekullinë e zërit të Inva Mulës dhe perfeksionin e pianistit David Tukiçi.

Nuk është hera e parë që kjo shoqatë, me presidente, Bujana Sojlin organizon aktivitete të rëndësishme në fushën e artit.

E krijuar vetëm katër vjet më parë, kjo shoqatë është kthyer në një bërthamë të rëndësishme në Orlean, ku kanë qenë pjesëmarrës shumë artistë shqiptarë, të njohur tashmë në skenat botërore. Mund të përmendim këtu koncertin për violinë e piano të artistëve Suela Mullai (violinë) dhe Masimo Palumbo (piano), realizuar në katedralen e madhe të Orleanit, takimet me autorë si Klara Budo, etj.

Në emër të shoqatës, Xhemal Sojli u shpreh se “Ky aktivitet, me pjesëmarrjen e sopranos Inva Mula dhe pianistit David Tukiçi jo vetëm na nderon të gjithëve, por njëherësh na bën të ndjehemi krenarë, të lumtur, që edhe Shqipëria mund të prodhojë artistë të niveleve ndërkombëtare, që sot na nderojnë në skenat botërore. Dëshiroj të falenderoj në emër të shoqatës të gjithë ata që ndihmuan në organizimin e këtij evenimenti. Pikë së pari personelin administrativ të Orleanit per gatishmërinë e tyre për të vënë në dispozicionin tonë ambientet e mrekullueshme te sallës, si dhe gjej rastin të falenderojmë gjithashtu edhe dy artistët e mëdhenj”.

Inva Mula është një nga artistet që ka pushtuar skenat botërore që nga Parisi, Neu-York-u, Moska, Athina. Ajo është aktualisht sopranoja shqiptare më e njohur në botë. Mbasi fitoi konkurset George Enescu në Bukuresht (1992), "Butterfly" në Barcelonë (1992) dhe konkursin e parë për këngëtarë të operave të organizuar nga tenori spanjoll Placido Domingo në Paris (1993) asaj iu hapën portat e teatrove më të famshëm në botë, duke filluar nga "La Scala" në Milano, Arena në Veronë, Covent Garden në Londër dhe deri në "Metropolitan Opera" në Nju Jork.

Me zërin e Divës në filmin fantastiko-shkencor të regjizorit francez Luc Besson "Elementi i pestë" (1997) ajo arriti të bëhej e njohur edhe në skenën e muzikës pop.

Që nga viti 2002, Inva Mula është interpretuese e rregullt në Deutsche Oper Berlin, këtë vit ajo interpreton aty rolin kryesor të "La Traviata"-s së kompozitorit italian Giuseppe Verdi (1813-1901).

Së fundi, ka dalë në treg edhe CD-ja e saj më e fundit "Il Bel Sogno" (Virgin Classics), një përmbledhje ariesh e regjistruar me Orkestrën e Filarmonisë të Zagrebit nën drejtimin e Ivo Lipanoviçit.

Ky koncert ishte një ngjarje për qytetin e Orleanit dhe lajmërimet për ndjekjen e tij ishin bërë kohë më parë nëpërmjet gazetës “La Gazette D’Orleans”, ku shkruhej vetëm një muaj më parë: “Shoqata ‘Shqiptarët e Francës’ do të sjellin në një koncert në Orlean soprano Inva Mula, të madhen, të mrekullueshmen soprano shqiptare, e cila do të interpretojë në l’Opéra Bastille gjatë muajit maj në operan "Les Contes d’Hauffman" . Është në nderin e qytetit tonë ta ndjekim nga afër zërin e saj magjik në një koncert të jashtëzakonshëm, që na propozohet nga kjo shoqatë”.

Duket se gjithçka është realizuar me sukses në mbrëmjen e 30 majit 2010 në Orlean. Sojli do të shprehej i emocionuar për të gjithë spektatorët pjesëmarrës se “Një përshendetje dhe një falenderim të sinqertë dhe me shumë emocion kemi për Bashkinë e Orleanit dhe Kryetarin e saj i cili na nderoi personalisht me prezencën e tij dhe me përshëndetjen e ngrohtë . Në fund u premtojmë të gjithë simpatizantëve të shoqatës sonë të re dhe mbështetësve tanë se do të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të nderuar dhe respektuar këtë mbështetje”.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE