English

Traditë/ Vlorë: Festa E Shën Marisë, Tradita Që Mbledh Palasikotët

VLORË, 31 Maj/ATSH-H.Koçi/.- Banorët e Palasës, 50 km në jug të Vlorës, përpiqen ta ruajnë traditën, si një faktor që pasuron jetën e tyre shpirtërore. 15 gushti, është një ndër ato data, dikur mjaft të shënuara, por që regjimi komunist u mundua ta çrrënjoste nga mendja dhe zemra e këtyre njerëzve fisnikë. -Festa e shenjtë e Shën Marisë, një nga simbolet e fshatit- Festa e shenjtë e Shën Marisë, dikur mblidhte banorët. "Ja, mblidheshim këtu tek kisha, ku zhvillohej ceremonia fetare, ndërkohë që, në banesat dhe rrugicat e gurta të fshatit, festohej në mënyrë të veçantë, duke përfshirë edhe organizimin e karnavaleve", thotë për ATSH-në, Pavllo Koka, një nga banorët e fshatit që jeton prej vitesh në emigrim në Greqi. Deri në vitin 1967, kjo datë ishte edhe një nga simbolet e banorëve, që e kremtonin atë në një mënyrë krejt të veçantë, krahasuar me pjesën tjetër të fshatrave të Bregdetit. Më pas, heshtje. Por, banorët asnjëherë nuk e harruan atë. Kremtonin fshehurazi, duke u ruajtur nga veglat dhe shërbëtorët e regjimit që përgjonin çdo sinjal. -Festa, një ritual shpirtëror- Prej tre vjetësh, kjo festë është rikthyer në një ritual shpirtëror. "Ishte një festë që i mungonte fshatit. E rikthyem si pjesë të atyre vlerave të krijuara në shekuj nga palasikotët", thotë kryeplaku Theodhori Kashta. Në këtë ditë, në 15 gusht të çdo viti, qysh herët në mëngjes banorët udhëtojnë për rreth 4-5 kilometra përgjatë një monopati, për të shkuar në kishën e vogël të Shën Marisë. Ky monopat përshkon kodrat e gjelbëra në një lartësi prej rreth 300 metrash mbi nivelin e detit, në një mjedis të mrekullueshëm, ku natyra është treguar tepër bujare. Qindra njerëz lëvizin në një vargan të gjatë, njeri pas tjetrit, për të shkuar në kishën mëse 200 vjeçare. Në një oborr të vogël të rrethuar nga qiparizat, qëndrojnë një pjesë prej besimtarëve. Pjesa më e madhe, janë në emigracion dhe 15 gushti është një datë që i mbledh për t'u ritakuar pas një viti. Bisedojnë për të rejat, për gjithçka ka ndodhur në harkun e një viti. Nga kjo lartësi, ku deti shfaqet edhe më i bukur, fjalët janë edhe më mbresëlënëse. Kjo kishë, ndër objektet më të vjetra të kultit në rrethin e Vlorës, ka një pamje krejtësisht të veçantë, ku ndërthurren elementë të arkitekturës, me ata natyrorë. Pavarësisht largësisë nga fshati, besimtarët nuk lodhen aspak për të ardhur deri këtu. Ata mblidhen qysh në orët e para të mëngjesit dhe largohen atëhere kur paraditja është duke përfunduar. Në këtë ditë të shenjtë, në fshat bëhen therren qingja. Mishi i qingjit, është asortimenti kryesor i tryezës së festës. Ndërkohë, në mbrëmje, të gjithë mblidhen në sheshin e kishës, në qendër të fshatit, i mbuluar nga hija e rrapit të njohur disa qindra vjeçar. Të moshuarit e këtij fshati, thonë se ai është rreth 500 vjeçar. Këtu shtrohet edhe tryeza e përbashkët e festës. -Kënga polifonike, pjesë e festës- Kënga polifonike palasikote, është pjesë e pandarë e festës. Një grup burrash gjenden gjithmonë për t'i kënduar ato, duke sjellë vlerat e këngës palasikote dhe himariote, "që kërkon burra për t'u kënduar". Publicisti dhe shkrimtari palasikot, Andrea Petromilo, i cili prej vitesh jeton e punon në emigracion, thotë se, "kënga është një ndër ato gjëra të veçanta, për të cilat duhet të krenohen banorët e këtij fshati. Ajo vjen e shtruar si valët e detit dhe befas shndërrohet në një uragan". Sipas tij, "kënga polifonike e Palasës, ashtu sikundër ajo himariote, ka një timbër të veçantë, që e dallon nga kënga labe". -Këtë vit, festa ndryshe nga herët e tjera- Këtë vit, Festa e Shën Marisë, është menduar të organizohet shumë më e plotë se vitet e kaluara. Për këtë, u është bërë dhe do t'u behet thirrje të gjithë banorëve të këtij fshati, kudo ku ata janë, që të jenë të pranishëm në këtë festë. Për ata që nuk kanë mundësi udhëtimi, do të ofrohet edhe transporti./ch/
KOMENTE