English

Beja:Opozita Të Kontribuojë Pozitivisht Në Ecjen Përpara Të Vendit

- Shprehet në një intervistë për ATSH-në Kryetari i Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, Fatos Beja- TIRANË, 1 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, Fatos Beja, vlerëson se maxhoranca mirëpret kontributin pozitiv të opozitës në proceset që e çojnë përpara vendin. "Ne mirëpresim një kontribut pozitiv të opozitës në drejtim të ecjes përpara të Shqipërisë. Luftrat e brendshme politike, janë tjetër gjë dhe ndodhin në çdo vend të botës, por ato nuk duhen përdorur në kundërvënie të interesave kombëtare të vendit", tha në një intervistë për ATSH-në deputeti demokrat Fatos Beja. I pyetur rreth propozimit të kolegjit të komisionerëve të KE-së për liberalizimin e vizave për Shqipërinë e Bosnjën, z. Beja vlerëson se në deklaratat e komisioneres për marrëdhëniet e brendshme në BE, Cecilia Malmstrom dhe ato të komisionerit për zgjerimin, Stefan Fule, shpjegohen qartë sukseset dhe përparimi shumë i rëndësishëm që ka bërë Shqipëria në drejtim të zbatimit të të gjitha kërkesave të BE-së për këtë proces. Sipas Bejës, pas incidenteve të ndodhura me qytetarët e disa vendeve të rajonit, që përfituan dhjetorin e kaluar nga ky proces dhe filluan të lëvizin në hapësirën Shengen me idenë se do të mund të kërkonin azil, zyrtarët e KE-së kërkuan nga vendet që aspirojnë heqjen e vizave të sqarojnë dhe informojnë më hollësisht opinionin e tyre publik rreth kësaj çështje. "Kërkesat e parashtruara nga KE janë të arsyeshme, sepse lidhen me një situatë korrekte të sqarimit të opinionit publik, pasi këto nuk janë viza për të qëndruar, por për të udhëtuar. Kjo do të thotë që deri në tre muaj ke të drejtë të lëvizësh në këto vende dhe të respektosh kushtet e lëvizjes që i jepen Shqipërisë në parim", shpjegoi kryetari i Komisionit të Jashtëm. Duke folur për kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria në liberalizimin e vizave, Beja u ndal tek strategjia e të riatdhesuarve dhe zbatimi i ligjit për konfiskimin e aseteve të vëna në rrugë kriminale. "Shqipëria ka qënë vendi i parë që pranoi të firmosë marrëveshjet e riatdhesimit, si një garanci për vendet e hapësirës Shengen. Sipas këtyre marrëveshjeve, ne do të presim të gjithë emigrantët që nuk janë në kushte ligjore në vendet e BE-së, duke krijuar politika mbështetëse për ta", tha Beja. Ai shtoi se qeveria po punon me një draft-strategji, e diskutuar dhe në ministritë e linjës dhe që do të realizohet në muajt e ardhshëm. Lidhur me zbatimin e ligjit për konfiskimin e aseteve që janë produkt i aktiviteteve kriminale, Beja tha se ne kemi miratuar ligjin përkatës dhe kemi pasur vlerësim nga vendet e BE-së, ndërkohë që ka filluar zbatimi i tij. "Deri tani llogariten rreth 4 milion euro vlera e konfiskimeve që ka ardhur nga zbatimi i këtij ligji", tha kryetari i Komisionit të Jashtëm, ndërsa nënvizoi nevojën e forcimit të institucioneve përkatëse në luftën kundër krimit të organizuar. Deputeti Beja u shpreh optimist se me përmbushjen e këtyre kërkesave "shqiptarët në muajt e ardhshëm do të kenë mundësinë për të lëvizur lirisht në vendet e hapësirës Shengen". I pyetur për takimin e nivelit të lartë, që do të mbahet nesër në Sarajevë, nga i cili pritet të bëhet një vlerësim i progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset e integrimit evropian, deputeti Beja tha se Shqipëria do të marrë mesazhe pozitive nga ky Samit. "Zyrtarët e BE-së e kanë mbështetur mjaft hapur marrjen e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për integrimin e tyre në BE, ndaj nuk ka dyshim se dhe në Samitin e Sarajevës do të shikojmë të njëjtin mesazh mbështetës pozitiv për Shqipërinë në procesin e saj integrues", tha kryetari i Komisionit të Jashtëm. Lidhur me impaktin që ka situata aktuale politike në vend në procesin e vizave, Beja thotë se ajo "natyrisht nuk është kontribut pozitiv". "Kurrkush nuk mund të thotë se këto që po ndodhin janë të mira, në një kohë që ne kërkojmë mbështetjen për liberalizimin sa më shpejt të vizave", theksoi ai. "Opozita socialiste në vend që ta mbështesë procesin ka qënë frenuese e penguese. Përzierja e nuancave politike në të, e lidhur me Shqipërinë, e jo thjesht me një parti, absolutisht nuk është e dobishme. Sa më funksionale të jenë institucionet shqiptare, aq më mirë është për shqiptarët. Ne mirëpresim një kontribut pozitiv të opozitës në drejtim të ecjes përpara të vendit. Luftërat e brendshme politike që ndodhin në çdo vend të botës, nuk duhen përdorur në kundërvënie me interesat kombëtare", përfundoi deputeti Beja intervistën e tij për ATSH-në. /s.s./
KOMENTE