English

Sarajevë - Rreth 500 Ojq Kërkojnë Një Shtysë Të Re Për Anëtarësimin Në Be Të Vendeve Të Ballkanit Perëndimor

SARAJEVË, 1 qershor /ATSH-AFP/ - Rreth 500 organizata joqeveritare i kërkuan sot Bashkimit Evropian t'i japë një shtysë të re perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një letër të hapur dërguar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo thirrje u bë një ditë para takimit të zyrtarëve evropianë me vendet e Ballkanit Perëndimor, nesër në Sarajevë që do t'i kushtohet së ardhmes evropiane në rajon. "Takimi ministerial në Sarajevë është një rast i mirë për t'i dhënë një shtysë të re procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE'', thuhet në këtë letër të nënshkruar nga 470 OJQ rajonale nga Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova. Disa përfaqësues të këtyre OJQ-ve theksuan në një konferencë shtypi se ka ardhur koha për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. "Mendohet se perspektiva evropiane do të konfirmohet sërish në këtë takim. Kjo nuk mjafton. Ballkani Perëndimor ka nevojë për më shumë. Ne nuk mund të pritemi se jemi të bukur, por ne duam rregulla dhe kritere të qarta'', deklaroi Dobrila Govedarica, zyrtare e një shoqate boshnjake. "Ka ardhur koha për të kaluar nga procesi i stabilizimit në atë të anëtarësimit'', konfirmoi kolegia serbe, Jadranka Jelinçiç. OJQ-të theksuan se Brukseli duhet të hapë deri në fund të vitit 2010 negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë, kandidate zyrtare që prej vitit 2005, por integrimi i së cilës në BE ka hasur pengesa nga mosmarrëveshja me Greqinë për çështjen e emrit të Maqedonisë./ /ec/ a.jor.
KOMENTE