English

Testet- Mash: Procesi I Korrigjimit Nis Me 3 Qershor

TIRANË, 1 Qershor/ATSH/.- Vlerësuesit janë të gatshëm të nisin procesin e korrigjimit të testeve nga data 3 qershor 2010 në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier, bëri të ditur sot ministria e Arsimit dhe Shkencës, pas përfundimit të provimit të parë të Maturës Shetërore. "Testet e maturantëve me masa të rrepta sigurie do të nisen sot në drejtim të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve dhe do të shpërndahen në katër qendrat e korrigjimeve", konfirmoi MASH, duke siguruar se ka trajnuar të gjithë vlerësuesit e testeve. Procesi i vlerësimit të testeve sivjet do të monitorohet nga ekspertë të politikave të inspektimit në MASH dhe specialistë të Inspektoriatit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Nëpërmjet kësaj rruge, MASH synon të konsolidojë vlerësimin e produktit të çdo maturanti në mënyrën më të mirë, në të njëjtat standarde me vendet e BE-së. Monitoruesit do të ndjekin të gjitha provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, me qëllim që MASH të bëjë të mundur një vlerësim real të cilësisë në të gjitha shkollat e vendit. Çdo maturant, çdo prind, çdo institucion dhe çdo i interesuar për provimin e kësaj lënde mund ti gjejë përgjigjet e sakta të testit në faqen e internetit të MASH-it. Të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar zhvilluan sot provimin e lëndës Letërsi - Gjuhë shqipe, i cili filloi njëkohësisht në të gjithë vendin në orën 10.00 dhe zgjati 2 orë e gjysëm. Në provim morën pjesë rreth 37 500 maturantë, të vendosur në mjediset e përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore. Rreth 2.000 administratorë të provimit (AP) u përfshinë në këtë proces. Nga monitorimi i vazhdueshëm për Maturën Shtetërore, në 37 Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore, rezultoi se gjithçka eci normalisht, bënë të ditur burimet zyrtare të MASH-it./e.gj//n.m/
KOMENTE