English

Berisha- Ficxherald: Shqipëria, arritje në sektorin e mbrojtjes

Tiranë, 2 qershor, NOA – Kryeministri Berisha priti sot në një takim Komandantin e Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s, në Napoli, Admiralin Mark Ficxherald, i cili ndodhej në Shqipëri me rastin e mbylljes së prezencës së NATO-s në Shqipëri.

Berisha i shprehu atij mirënjohjen më të thellë të qeverisë shqiptare për kontributin e madh që ky mision dha gjatë kësaj periudhe për reformën në sektorin e mbrojtjes dhe në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Ai e vlerësoi lart punën e bërë nga të gjithë drejtuesit e misionit gjatë kësaj periudhe nga vende të ndryshme aleate të NATO-s dhe falënderoi vendet anëtare për mbështetjen që i dhanë punës së zyrës së Prezencës së NATO-s në Shqipëri.

Nga ana e tij, admirali Fitzgerald vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe në reformat e thella e gjithëpërfshirëse, të cilat bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë, në Aleancën politike ushtarake më të suksesshme të kohërave.

“Ne jemi shumë krenarë për arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me ju. Kush mund ta mendonte 20 vjet më parë që Shqipëria do të ishte anëtare e plotë e NATO-s”, u shpreh admirali Fitzgerald.

Më tej, ai i konfirmoi kryeministrit Berisha vijimësinë e mbështetjes si në reformimin dhe transformimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura ashtu edhe në integrimin e plotë të vendit, në të gjitha strukturat e programet e Aleancës.

n.e/NOA

KOMENTE