English

Elbasan: Në Rritje Pjesëmarrja E Gruas Në Vendimmarrje

ELBASAN 2 Qershor/ATSH, Miranda Sadiku/ - Pjesëmarrja e gruas në vendimarrje në Elbasan tre vitet e fundit shënon ritme mjaft të kënaqshme. Prefekti i qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi ndërsa thekson këtë fakt, shton se "në Qarkun e Elbasanit kjo vihet re në postet drejtuese që ka gruaja, pjesëmarrja e saj në politikë si dhe për probleme të ndryshme sociale". Këto fakte janë evidentuar në një takim me përfaqësues të Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), që me mbështetjen e Fondit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë (UNIFEM), zhvilloi një takim rajonal në Elbasan për studimin "Mbi situatën e grave lider në nivel lokal". "Në kuadrin e zbatimit të kuotave gjinore të vendosura në Kodin Elektoral, studimi synon ndërgjegjësimin e aktorëve të përfshirë në respektimin e kuotave gjinore dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në zgjedhjet administrativë vitit 2011," tha koordinatorja e ACER, Jonida Narazani. Sipas saj, qëllimi i këtij studimi është zhvillimi i një tabloje të qartë se sa është zbatuar kuotimi gjinor, si dhe kush është pritshmëria e zbatimit të kuotimit gjinor në zgjedhjet e ardhshme lokale. Në takim u diskutuan edhe zgjedhjet e kaluara parlamentare që, sipas përfaqësuesve, partitë politike e respektuan kuotimin gjinor, por gratë figuruan në fund të listës. Sipas Narazanit, "partitë politike në nivel lokal duhet të bëjnë më shumë për identifikimin e grave në nivel vendor, pjesëmarrja e gruas në vendimarrje, si edhe pjesëmarrja e gruas në forume"./ch/
KOMENTE