English

Norvegji - Flotilja - Më Tepër Se 40 Për Qind Në Favor Të Bojkotit Të Izraelit

OSLO, 2 qershor /ATSH-AFP/ - Më tepër se 40 për qind të norvegjezëve kanë tashmë ose janë për një bojkotim të produkteve izraelite, mësohet nga një sondazh i publikuar dy ditë pas sulmit të përgjakshëm të një flotiljeje të aktivistëve propalestinezë nga komando izraelite. Sipas këtij sondazhi të realizuar dje në mbrëmje nga instituti InFact dhe i publikuar sot në tabloitin "Verdens Gang" 9,5 për qind e norvegjezëve bojkotojnë tashmë produktet që vijnë nga shteti hebre, 33,5 për qind shprehen në favor të kësaj, 29,4 për qind janë kundër dhe 27,6 për qind nuk shprehin mendim. Sondazhi u krye me 1 028 persona. Pa shkuar kaq larg, drejtuesja e të Majtës socialiste anëtare e koalicionit në pushtet, Kristin Halorsen, gjithashtu ministre e Arsimit, i ka bërë thirrje dje komunitetit ndërkombëtar për një bojkotim në tregtinë e armëve me Izraelin, mbi bazën e asaj që po bën tashmë Norvegjia. Një ditë më parë, qeveria norvegjeze është shprehur "e tronditur" nga ndërhyrja izraelite që shkaktoi nëntë të vdekur dhe kërkoi një "hetim ndërkombëtar të pavarur dhe të menjëhershëm", duke e cilësuar "të papranueshëm" përdorimin e dhunës kundër civilëve. Tre norvegjezë ishin mes qindra aktivistëve propalestinezë të cilët po përpiqeshin të dërgonin ndihma humanitare drejt Gazës. Sipas autoriteteve, pritet që ata të dëbohen së shpejti nga Izraeli. /I.Pu.
KOMENTE