English

Policia e Shtetit: Gara për komisarë, mëse e rregullt

Tiranë, 2 Qershor, NOA – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka reaguar në lidhje me kritikat mbi procesin e konkurrimit për gradën “komisar” në Policinë e Shtetit.

“Ky proces i hapur dhe transparent konkurrimi është ndërtuar konform standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare dhe çdo fazë e tij monitorohet dhe nga organizmat ndërkombëtare, që prej vitesh asistojnë Policinë e Shtetit, misioni PAMECA dhe programi ICITAP”, thuhet në komunikatën e lëshuar prej saj.

Para pak ditësh, u zhvillua faza e parë e konkurrimit për gradën “komisar” gjatë të cilës u paraqitën për t’iu nënshtruar testimit me shkrim 510 punonjës policie nga i gjithë vendi. Dhe në përfundim të testimit me shkrim, është kryer dhe korrigjimi i testimit, proces i cili realizohet me skaner, ku bazuar në këtë korrigjim është bërë dhe shpallja e listës së pikëve të grumbulluar nga çdonjëri prej kandidatëve.

Pas shpalljes së listës së pikëve, sipas procedurave të sanksionuara dhe në aktet normative fillon procesi i rivlerësimit të pyetjeve, i cili nuk ndikon në uljen e pikëve të kandidatëve pjesëmarrës në konkurrim dhe kryhet nga komisioni përkatës, si dhe procesi i ankimimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurrim.

Në fund, sqarohet sesi për këtë proces konkurrimi, Komisioni i Apelimit do të mblidhet gjatë ditës së nesërme, ndërsa për të ndjekur procesin janë ftuar edhe përfaqësues të Sindikatës së Policisë.

“Në përfundim të këtyre procedurave shpallet lista përfundimtare, ku fitues të kësaj faze, testimit me shkrim, sipas procedurave të përcaktuara në aktet normative, konsiderohen të gjithë ato punonjës që kanë grumbulluar mbi 60 pikë. Pas testimit me shkrim të gjithë ato punonjës policie që kanë arritur të grumbullojnë mbi 60 pikë do t’i nënshtrohen dy fazave të tjera të konkurrimit, intervistës me gojë dhe ushtrimeve vlerësuese”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

n.e/NOA

KOMENTE