English

Profil/ Ne Jale, Tek Biznesi Familjar I Thanas Simonit

HIMARË, 2 qershor/ATSH-H.Koçi/ - Thanas Simoni, 55 vjeç, është një nga prej privatëve që operon në turizëm në bregdetin e Jalës, rreth 60 km në jug të Vlorës me një biznes modest, të mbështetur tërësisht te puna e anëtarëve të familjes. Nuk i pëlqen të quajmë "operator turistik", dhe as t'i bëjmë fotografi. "Ja, shkruani për këto që do ju them", thotë ai. Thanasi ka një hotel të vogël me 10 dhoma ku punon së bashku me bashkëshorten, ajo në banak dhe kameriere, ai vetë në kuzhinë. Gjatë verës i ndihmojnë edhe dy djemtë, njëri student për Drejtësi në Tiranë, tjetri në Vlorë, për Ekonomi. "Nuk kemi ndonjë mënyrë tjetër për të afruar klientët përveçse njohjeve, ose atyre që vijnë këtu rastësisht", thotë Thanasi. Suksesi i tij është krijimi i një klientele të qëndrueshme, bazuar te respekti për shërbimin, kur shprehet se ata pushues që vijnë aty, mundohet që t'i mbajë dhe t'i shndërrojë në klientë të përhershëm, duke u shërbyer mirë dhe me cilësi. Përveç shërbimit në dhoma, Thanasi ka ndërtuar dhe një bar-restorant të thjeshtë në plazh, i cili shërben si për pushuesit ditorë, edhe për klientët e hotelit të vogël. Por këtyre të fundit u ofron çmime më të favorshme në restorant, krahasuar me klientët e tjerë. Çdo vit biznesi familjar i tij është rritur. Pak vite më parë, hotelit i shtoi disa dhoma, ndërsa përmirësoi mobilimin dhe kushtet e tjera të akomodimit. Edhe këtë vit, ka rinovuar disa nga pajisjet e dhomave, ndërsa ka përmirësuar edhe mjedisin përreth godinës dhe fasadën e saj. "Fluksi i vërtetë nis në 15 korrik, por këtë vit shpresoj të fillojë më herët për shkak të ndërtimit të rrugës që lidh rrugën kombëtare me plazhin tonë," thotë Thanasi. Hoteli i tij është në breg të Jalës, rruga e së cilës u asfaltua dhe zgjerua këtë vit. "Është një rrugë moderne që patjetër do të ndikojë pozitivisht në rritjen e fluksit të pushuesve për të shijuar këtë plazh dhe këtë det, që nuk e gjen asgjëkundi tjetër", thotë Thanasi. Këtu ndahemi. Ai shkon të flasë me peshkatarin që e furnizon me peshk të freskët./ch/
KOMENTE