English

Shërbimi i kujdestarisë, vetëm për fëmijët me një prind

Tiranë, 02 qershor, NOA - Projekti më i ri i shërbimit social, kujdestaria, do të ofrohet vetëm për fëmijët me probleme sociale të cilët strehohen sot në shtëpitë e fëmijës të ngritura në 9 qytete.

Drejtori i Institucioneve të Përkujdesjes në Shërbimin Social Shtetëror, Gëzim Tushi, thotë se kjo kategori përbën numrin më të madh të fëmijëve që përfitojnë kujdesin e shtetit në raport me fëmijët e braktisur nga të dy prindërit.

Sipas Tushit, rreth 70-80 për qind e fëmijëve që jetojnë në qendrat rezidenciale të shtetit janë fëmijë që nuk kanë ose nënën, ose babain, ose fëmijë që kanë probleme sociale në shtëpi dhe që kërkojnë përkujdesjen e shtetit.

“Mund të themi se vetëm 10 për qind e tyre janë jetimë natalë, të braktisur që në lindje nga të dy prindërit dhe që nuk kanë asnjë lidhje me familjet e tyre biologjikë. Do të jetë pikërisht ky kontigjent i cili do të përfshihet i pari në shërbimin e kujdestarisë, i cili është një shërbim i përkohshëm dhe ndryshon nga birësimi i cili është një proces i pakthyeshëm që u ofrohet me ligj vetëm fëmijëve jetimë që nuk kanë asnjë prind”, thotë drejtori i përkujdesjes sociale në Shërbimin Social Shtetëror, Gëzim Tushi.

Sipas Tushit, projekti do të sjellë një risi për shoqërinë shqiptare. Në të njëjtën kohë ai do t’u japë mundësi familjarëve të fëmijëve me probleme sociale të kujdesen për ta kundrejt një pagese e cila do caktohet me vendim të qeverisë.

Projekti pilot i kujdestarisë do të shtrihet në dy qytete, Tiranë e Shkodër dhe do të zbatohet nga pushteti vendor.

Projekti ka si afat kohor 2008-2010 dhe për shërbimin e kujdestarisë do të përzgjidhen 80 familje nga këto dy qytete.

Vlera e tij kap shifrën e 100 milionë lekëve dhe për implementimin e projektit janë caktuar 2 kompani që punojnë me fëmijët jetimë.

b.a /NOA

KOMENTE