English

Sport- Futboll/ Shqipëri - Andorra, Miqësorja Sot Në "Qemal Stafa"

TIRANË, 2 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/. - Kombëtarja shqiptare e futbollit, pas fitores 1-0 në miqësoren kundër Malit të Zi, që u zhvillua në Podgoricë mesjavën e kaluar, do të luajë sot në orën 20:00 kundër Andorrës, në stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa". Takimi do të zhvillohet në kuadër të festimeve me rastin e 80-vjetorit të krijimit të FSHF-së. Trajneri kroat, Josip Kuzhe, bëri të ditur dje edhe formacionin titullar të ndeshjes. Në portë do të luajë sërish Isli Hidi. Në krahët e mbrojtjes do të luajnë Kristi Vangeli (i rekuperuar nga dëmtimi) dhe Ansi Agolli, ndërsa në qendër të mbrojtjes do të jetë një dyshe e kampionatit shqiptar, e përbërë nga mbrojtësi i Besës, Endri Vrapi dhe mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila. Në mesfushë do të jenë Ervin Bulku dhe Ervin Skela në qendër, ndërsa në krahun e djathtë do të luajë Klodian Duro dhe në krahun e majtë, Jahmir Hyka. Në sulm do të luajë dyshja Hamdi Salihi dhe Edmond Kapllani. Shqipëria në të vetmen ndeshje kundër Andorrës, që ndodhet në vendin e 201 në renditjen e FIFA-s, ka humbur 2-0 në transfertë në vitin 2002, në një takim miqësor që i kushtoi edhe pankinën ish-trajnerit, Sulejman Demollari. Andorra është një skuadër thuajse amatore, renditet në vendin e 201-të në FIFA (Shqipëria është e 79-ta) dhe ka fituar vetëm 3 takime në historinë e saj, një prej tyre ndaj Shqipërisë. Për takimin Shqipëri- Andorra, Federata Shqiptare e Futbollit tashmë ka hedhur në treg biletat, që kushtojnë: 500 lekë në tribunat kryesore (A dhe B) dhe nga 200 lekë në ato karshi (D1, D2 dhe D3). /a.ke/
KOMENTE