English

Bregu: Brenda Kësaj Vjeshte, Do Të Merret Vendimi Për Lëvizjen E Lirë Të Qytetarëve Shqiptarë

TIRANE 3 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaroi të enjten në seancë plenare se, brenda kësaj vjeshte do të merret vendimi për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. "Ne jemi entuziastë që shqiptarët ia besuan ndryshimin Shqipërisë nga sistemi i frikës dhe diktaturës të kloneve me gjëmba në vendin e qytetarëve të lirë kësaj maxhorance", tha Bregu. Duke iu referuar konkluzioneve të Samitit të Sarajevës një ditë më parë, Bregu tha se zyrtarët e lartë të KE-së deklaruan se anëtarësimi në Bashkimin Europian i gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor mbetet objektivi ynë i përbashkët. "Sot në Luksemburg ky mesazh është përsëritur nga Komisionerja për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë e Komisionit Evropian, Cecilia Malstrom në takimin e ministrave të Drejtësisë dhe atyre të Brendshëm"', tha Bregu. Sipas saj, vjeshta është përcaktuar si koha e marrjes së vendimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe Komisoni Europian i qëndron këtij varianti. "Përmbyllja e misionit të fundit të ekspertëve në muajin korrik do të bëjë të mundur që vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë të merret brenda kësaj vjeshte dhe ky eshtë objektivi i Europës dhe qytetarëve shqiptarë", tha Bregu. Në reagim të fjalës së deputetes Arta Dade e cila kritikoi qëndrimin e qeverisë, si qëndrim që siç u shpreh ajo "bie ndesh me angazhimin e BE-së për shkak të mungesës së transparencës", Bregu tha se "Komisionieri për Zgjerimin në Bashkimi Europian Stefan Fule ka ndarë çështjen e liberalizimit të vizave me atë të kutive"./n.m/
KOMENTE