English

Edi Rama: Ekonomia, në një tendencë rënieje që vazhdon

Tiranë, 4 Qershor, NOA – Në bashkëbisedimin e tij të përjavshëm me gazetarët, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vënë në dukje treguesit ekonomikë, të cilët sipas tij paraqiten të përkeqësuar muajt e fundit.

“Familjet shqiptare po vuajnë dita ditës një përkeqësim të ekonomisë dhe që kriza e përgjithshme që shprehet në mënyrë të dukshme publike dhe për sytë e të gjithëve përmes aspektit të saj politik, prek më fortë në çdo shtëpi shqiptare, përmes aspektit të saj ekonomik”, është shprehur ai.

“Një pasqyrë e përmbledhur e disa të dhënave shumë shqetësuese të ekonomisë, pasi besoj që është shumë e rëndësishme të theksohet në vijimësi që në gjendjen e përgjithshme të vendit, familjet shqiptare po vuajnë dita ditës një përkeqësim të ekonomisë dhe që kriza e përgjithshme që shprehet në mënyrë të dukshme publike dhe për sytë e të gjithëve përmes aspektit të saj politik, prek më fortë në çdo shtëpi shqiptare, përmes aspektit të saj ekonomik.

E praktikisht të dhënat që ne disponojmë brenda kuadrit shumë të kufizuar të të dhënave që administrohen në mënyrë aspak transparente, dhe me qëllimin për ta fshehur të vërtetën, tregojnë se ka një tendencë rënieje që vazhdon.

Praktikisht në rast se i referohemi të dhënave të 4 mujorit të parë për tregtinë e jashtme, është e qartë se rënia e importeve në makineri e pajisje si tendencë, ka të bëjë drejtpërdrejtë me mbylljen e perspektivës së vendeve të reja të punës. Dhe me një rënie tërësore të prodhimit në vend, për aq sa mund të flitet për prodhim në këtë vend, kur karakteristikë kryesore e ekonomisë është mungesa e prodhimit. Dhe nëse në vlerë nominale shifra zyrtare është 19 % rënie, në fakt në rast se fusim këtu edhe rënien e lekut kundrejt euros apo dollarit, kemi 25 % rënie krahasuar me një vit më parë. Që do të thotë se deri në fund të vitit në vijim së paku, nuk ka asnjë shans për punësim, dhe në të kundërt tendenca e vënë re për mbyllje të vendeve të punës do të vazhdojë progresisvisht.

Nga ana tjetër është po kaq shqetësuese që raporti mes çka importohet dhe eksportohet në ushqime, vazhdon të mbetet dramatik. Importi është 10 herë më i lartë sesa eksporti, në një vend i cili vazhdon të jetojë krizën e rëndë të mungesës së prodhimit për ushqim.

Së treti dua të vë theksin tek ndryshimet e ndodhura në legjislacionin tatimor. Praktikisht u ndryshua për të 9-tin herë në katër vjet, ligji i akcizat, i cili ishte ndryshuar vetëm katër muaj më parë. Më lejoni t’ju them se në 57 muajt e qeverimit të vet, Sali Berisha i ka ndryshuar ligjet tatimor të këtij shteti 52 herë. Kjo është as më shumë e as më pak, por shprehje domethënëse e mungesës së plotë të një vizioni të qëndrueshëm për mënyrën sesi duhet të zhvillohet ekonomia. Të mungesës së plotë të një baze të qëndrueshme që ka të bëjë dhe me parashikueshmërinë e zhvillimit të ekonomisë dhe e të qeverisurit kuturu, si të mundemi, sa të mundemi, për shkak se qeverisja e këtij vendi ka prioritet kryesore, jo prioritet e publikut, por prioritet e oborrit të pushtetit. Fakti është se efekti i rritjes së akcizës, bashkuar këtu edhe me tvsh është 4.8 miliardë lekë në vit. Është një shumë të cilën do ta paguajnë drejtpërdrejtë qytetarët, sepse të gjitha produktet mbi të cilat shtohet akciza, janë produkte të përdorimit të përditshëm të shumicës së familjeve shqiptare. Dhe jeta e çdo familjeve shqiptare me marrjen e kësaj mase, pra për 752 mijë familjet shqiptare, do të shtrenjtohet më tej në këtë vit, me një mesatare prej 64 mijë lekësh. Ndërkohë që për 95 mijë familjet shqiptare që jetojnë në ndihmë ekonomike, kjo shumë është 50 ditë pagesë e ndihmës ekonomike më pak.

Nga ana tjetër është shumë e qartë se të gjitha të dhënat që disponojmë për aspektin fiskal të këtij 4 mujori të parë, flasin për një ekonomi në tkurrje dhe me një vështirësi në rritje. Fitimet e kompanive janë më të vogla sesa një vit më parë, xhiroja e sipërmarrjes së vogël është më e vogël sesa një vit më parë. Të ardhurat personale janë më të vogla sesa një vit më parë. Në rast se ka një shifër abuzive që qeveria e prezanton si tregues rritjes së të ardhurave nga TVSH-ja, fakti është se po të marrim këtu parasysh efektet e nënçmimit të lekut, e rritjes së akcizave dhe e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, atëherë rezulton se dhe kjo e ardhur nuk është më e lartë sesa një vit më parë.

Pra në tërësinë e vetë, ekonomia shqiptare vazhdon të përjetojë krizë, vazhdon të përjetojë tkurrje, vazhdon të përjetojë humbje të vendeve të punës, gjë që lidhet drejtpërdrejtë me rënien e nivelit të jetesës së familjeve shqiptare. Me mbylljen e prespektiva për punësim posaçërisht për më të rinjtë, me rënie të fuqisë blerëse në çdo familje dhe sigurisht me mungesën e një horizonti përballë gjithë kësaj vështirësie të rritur, për të cilën jo vetëm që mënyra sesi po qeveriset vendi nuk sjell asnjë përgjigje, por përkundrazi shton pikëpyetjet.

Mbetet për tu nënvizuar edhe njëherë tjetër në konkluzion, fakti se një vit më parë deformimi i vullnetit të popullit dhe grabitja e votës nuk i hapi rrugë asgjëje më të mirë sesa shtrëngimi i mëtejshëm i rrugëve të frymëmarrjes së ekonomisë, humbja e mëtejshme e vendeve të punës dhe rënia e mëtejshme e ekonomisë familjare të shqiptarëve.

Kanë ngelur edhe dy ditë nga afati dyjavor që ju deklaruat se dhanë krerët e BE për forcat politike shqiptare. Çfarë është bërë në këto afro 12 ditë, a ka patur negociata, deri ku kanë shkuar ato? Çfarë prisni nëse nuk është arritur akoma një kompromis, çfarë prisni në këto dy ditë të fundit që kanë ngelur nga afati dyjavor?

Është mirë në radhë të parë mos të harrojmë se nuk jemi në një periudhë lufte me afate që pavarësisht sensit të tyre ultimativ, në momentin e skadimit prodhojnë menjëherë efekte bombarduese. Jemi në një proces ku është përfshirë komuniteti ndërkombëtar dhe ku është vendosur një afat për palët në vend që të gjejnë një zgjidhje dhe ky afat është padyshim i lidhur me fatin e procesit të integrimit dhe me marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian me Parlamentin Europian me komunitetin ndërkombëtar në tërësi. E në rast se gjithë sa kemi dëgjuar gjatë këtyre ditëve si shprehje konstante të përsëritura të shqetësimit të miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë në Bruksel, dikujt i duket pa lidhje me këtë proces dy javor, ky nuk është problemi ynë, ky është problemi i tij. Problemi ynë është që të vazhdojmë të përsërisim domosdoshmërinë për ti dhënë zgjidhje krizës. Kriza jo vetëm nuk është zgjidhur, por ajo po thellohet duke kërcënuar procesin e integrimit të vendit dhe duke kërcënuar përkeqësimin e raporteve me komunitetin ndërkombëtar dhe posaçërisht me strukturat evropiane. Gjë që nuk duhet të ndodhë, gjë që nuk ka pse të ndodhë dhe gjë që në radhë të parë Sali Berisha duhet ta dëgjojë dhe konsiderojë me shumë vëmendje, pasi për hir të kutive të mbyllura, nuk mund të sakrifikohen interesat e Shqipërisë e të shqiptarëve dhe as ritmet e një procesi integrimi ku vërtet Europa e mirëpret Shqipërinë, po ku padyshim detyrat duhet ti kryejë Shqipëria përmes qeverisë së saj.

Pas kthimit tuaj nga Strasburgu keni qenë shumë optimist për zgjidhjen e krizës, e shihni njësoj një zgjidhje të mundshme të krizës? Dhe si e shikoni në këtë moment kundërshtarin politik. Shihni një tërheqja në ofertat e tij duke pasur parasysh mesazhet publike të kryeministrit Berisha, të cilit i janë reduktuar ofertat vetëm tek drejtimi i komisionit që mazhoranca e ngriti në mënyrë të njëanshme në votimin marsit. Pra shihni një lloj tërheqje tek kundërshtari politik në ofertën?

Unë s’kam qenë as optimist, as pesimist. Unë kam qenë e mbetem realist, që pa zgjidhjen e kësaj krize problemet për demokracinë, problemet për drejtësinë, problemet për ekonominë vetëm përkeqësohen dhe vështirësohen. Përgjegjësia për këtë është e Sali Berishës dhe vetëm e tij.

Deputetët e PS, tashmë shkojnë në komisionet parlamentare për të punuar në Kuvend, shkojnë në seancat parlamentare dhe opozita nuk proteston më. Ku është kriza politike për momentin?

Protestat e opozitës, format e ndryshme të protestës sonë, kanë qenë jo shprehja e krizës, por pasqyra ku kriza është parë shumë qartë. Kriza është tek mungesa e plotë e transparencës, e cila dëmton drejtpërdrejt të gjitha proceset e zhvillimit të vendit në të gjitha aspektet e veta. Dhe kjo mungesë transparence që lidhet në krye të herës me kutitë e mbyllura, e kthyer në mekanizëm për ta kthyer gjithë procesin qeverisës në Shqipëri dhe procesin legjislativ në një proces sundimi është thelbi i kësaj krize. Fakti që ne në këtë periudhë të ndërmjetme jemi vënë tërësisht në dispozicion të negocimit për të zgjidhur krizën, nuk do të thotë aspak se kriza është lehtësuar, e aq më pak akoma se kriza është zgjidhur. Kriza është në themelin e parlamentit, në themelin e qeverisë, në themelin e procesit demokratik në Shqipëri, që sot është i kërcënuar seriozisht nga mos funksionimi. Dhe zgjidhja e krizës është tek transparenca, për ti hapur rrugën jo thjesht një procesi publik të nxjerrjes në dritën e diellit të të vërtetës së zgjedhjeve, por për ti hapur rrugën normalizimit të procesit demokratik në tërësi, duke vendosur transparencën në themel të procesit legjislativ, të procesit qeverisës, e kështu me rradhë për të gjitha institucionet e vendit.

Çfarë rruge i mbetet më opozitës tani në këto momente pasi e ndërkombëtarizoi çështjen e transparencës së zgjedhjeve, e vuri në presion Berishën mesa duket për disa kohë, por kaluan afatet ultimative. Tani ç’mbetet më për të bërë, ose si do ta arrijnë transparencën më tej?

Unë po e theksoj shumë qartë që përgjegjësia është e kryeministrit dhe vetëm e tija. Ne i kemi vënë në dispozicion zgjidhjes të gjitha fuqitë tona. Dhe askush nuk duhet ta harrojë se ajo çfarë kemi thënë qysh në krye të këtij procesi negocimi, me pjesëmarrjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendit tonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, që ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë, dhe se rruga e protestave mbetet e hapur në rast se pala tjetër nuk do pranojë zgjidhjen është sigurisht në fuqi. Por është shumë e rëndësishme të kuptohet në momentin që flasim se këtu nuk kemi të bëjmë me një përgjegjësi të opozitës në rast se sot vazhdojmë të kemi një qeveri dhe një kryeministër që e bëjnë veshin shurdh ndaj nevojës për të zgjidhur krizën, por kemi të bëjmë me përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të tijën, në rast se kriza nuk zgjidhet dhe kjo rëndon drejtpërdrejtë Shqipërinë dhe shqiptarët. Një përgjegjësi për të cilën sigurisht do të rritet nevoja e llogari-kërkimit ndaj kryeministrit dhe do të rritet edhe domosdoshmëria e llogaridhënies nga ana e tij.

Ju thatë që i keni venë në dispozicion procesi të gjithë energjinë tuaj, për gjetjen e kësaj zgjidhje. Çfarë përmban konkretisht paketa juaj?

Është publike dhe është e ditur, nuk ka asgjë të re dhe nuk është si e ashtuquajtura paketë e kryeministrit që është thjesht dhe vetëm ambalazhim me fjalë i disa gjërash të vjetra.

Folët për një fazë të ndërmjetme, në fazën ku jemi aktualisht dhe nëse e kuptova, ju mesa duket përveçse prisni një përgjigje nga mazhoranca, prisni edhe një reagim nga komuniteti ndërkombëtar për situatën politike? Ndërkohë që ju prisni dhe që natyrisht palët në Shqipëri po presin për zgjidhjen e kësaj krize politike afatet kohore shkojnë drejt nevojës së rishikimit mbase të kodit zgjedhor për shkak se zgjedhjet e ardhshme lokale janë shumë pranë. Çfarë strategjie do të ndjek PS, duke patur parasysh se koha kalon. Dmth, a keni një skenar politik ju sesi do të silleni si opozitë përballë kësaj kohe?

Fakti që koha kalon na bën në radhë të parë që të fokusohemi tek ajo që vjen së pari si rezultat i kalimit të kohës. Që është një reagim nga ana e komunitetit ndërkombëtar të cilin unë nuk e dëshiroj, të cilin opozita nuk e dëshiron. I cili nuk do të mungojë në rast se kriza nuk do të zgjidhet, dhe nuk do të mungojë si një pasojë e drejtpërdrejtë mbi Shqipërinë e shqiptarët që përsëri do të vihen përpara faktit të kryer të një fature të papërgjegjshmërisë së qeverisë, që nuk i mori votat për të qeverisur dhe që pikërisht sepse në kutitë e mbyllura mban fshehur këtë të vërtetë, insiston që kriza të devijohet me propozime të cilat nuk e zgjidhin atë, por thjeshtë synojnë ta mbulojnë atë, e që për ne janë tërësisht të pamjaftueshme.

Për Kodin elektoral, duke qënë se ju keni kërkuar hetim të zgjedhjeve mbi bazën e kësaj për të rishikuar kodin. Në rast se deri në afatet që përcakton Kushtetuta nuk do të ketë hetim të zgjedhjeve si do ndryshohet Kodi Elektoral nga PS?

Ne nuk kemi ndryshuar asgjë në objektivin dhe në strategjinë tonë. Ne duam transparencën. Pa transparencën të gjitha tjerat janë përpara një pikëpyetjeje që vetëm rritet dhe nuk zvogëlohet.

Zoti Rama ju deklaruat se mazhoranca për hir të kutive të mbyllura, po sakrifikon proceset integruese. Një prej proceseve integruese që Shqipëria po pret të finalizojë është procesi i liberalizimit të vizave. Krerët më të lartë të Brukselit kanë deklaruar se Shqipëria është shumë pranë e brenda këtij viti do të arrihet liberalizimi i vizave. Nëse ky proces do të finalizohet ndërkohë që kutitë do vazhdojnë të jenë të mbyllura, a do ta cilësonit këtë si një betejë të humbur tuajën?

Kjo është e lidhur keq. Fakti është që ne e kemi dhe rithënë pa u lodhur që, procesi i liberalizimit të vizave nuk duhet të kushtëzohet fare nga kjo krizë. Unë e kam përsëritur në të gjithë instancat ku kam mundur të flas. E kam përsëritur me gojë, e kam përsëritur me shkrim duke ju drejtuar këtyre instancave të Europës së Bashkuar, që të mos e kushtëzojnë procesin e liberalizimit të vizave me krizën. Sepse kriza e kutive të mbyllura nuk duhet të mbyllë rrugët e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Kështu që jo vetëm që nuk ka lidhje fare, por përkundrazi do të jemi shumë të gëzuar që kjo të mos ndodhë, sepse për ne lëvizja e lirë e shqiptarëve nuk duhet në asnjë mënyrë të pengohet më tutje, siç është penguar për shkak të keqqeverisjes dhe të paaftësisë e të papërgjegjshmërisë të një qeverie, që sot ka pafytyrësinë tu rrah gjoksin shqiptarëve për viza të liberalizuara edhe pse kjo ende nuk ka përfunduar. E në ndërkohë është përgjegjëse për vonesën e pajustifikueshme të Shqipërisë në këtë proces, ku shqiptarët sot duhet të ishin përfshirë me kohë, siç janë përfshirë të tjerë rreth e rrotull. Dhe kanë mbetur fatkeqësisht të fundit për faqen e zezë të Sali Berishës.

Zoti Rama a vazhdojnë negociata midis ekspertëve në këto momente që flasim, apo janë ndërprerë fare?

Kjo është një pyetje e cila nuk ka lidhje me ç’ka ne kemi detyrimin të komunikojmë publikisht. Sepse jua kam thënë në mënyrë të përsëritur, që unë nuk bëj komente publike, për gjëra që nuk supozohen si gjëra që i takojnë fushës së komenteve publike. Ajo që unë mund t’ju them me plotë gojën, është që ne kemi qënë dhe jemi të angazhuar përditë në këtë proces, në të gjitha rrugët e mundshme të komunikimit e të bashkëpunimit me të gjithë ata që janë të angazhuar bashkë me ne. Dhe këtu kam parasysh në radhë të parë miqtë e partnerët tanë ndërkombëtar.

Tek çështjet ekonomike keni denoncuar në takimin e mëparshëm me gazetarët, çështjen e gjobitjes për shkaqe kryesisht politike. A do të ketë nisma konkrete parlamentare grupi socialist në mbrojtje të këtyre bizneseve, që siç e theksuat dhe ju janë gjobitur për shkaqe politike?

Ne kemi ngritur zërin e do të vazhdojmë të ngremë zërin. Dhe ajo ç’ka unë do të përsërisë pa përtuar edhe në këtë rast duke përfituar nga pyetja juaj, është apeli për të gjithë ata që me uniformën e shteti vënë gjoba për llogari të pushtetit. Apeli ka të bëjë me faktin se herët ose vonë të gjithë ata që sot shkelin ligjin dhe sot e përdorin uniformën e shtetit për llogari të pushtetit, do të duhet të përgjigjen herët ose vonë, por më shumë herët se vonë, përpara ligjit për një veprimtari të tillë mafioze. E cila është e orkestruar nga oborri i pushtetit për të mbyllur gojën e medias kritike, duke vendosur nën një presion mafioz financiar të gjithë ata që e financojnë median kritike.

NOA

KOMENTE