English

Inspektoriati I Ndërtimit Prish Pesë Objekte Pa Leje Në Qytetin E Sarandës

SARANDË, 4 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - Pesë godina shumëkatëshe të paligjshme, të ndërtuara në qytetin e Sarandës, u shëmbën sot nga Inspektoriati i Ndërtimit Urbanistik Kombëtar (INUK). Burime zyrtare nga INUK bënë të ditur për ATSH-në, se ndërhyrjet kanë nisur në një objekt në brendësi të zonës së banuar e të formalizuar kohë më parë pranë Hotel "Butrinti", për të vazhduar përballë Bar "Tuneli", poshtë Rrapit të Sarandës. "Prishja e pesë objekteve pa leje ishte domosdoshmëri, pasi këto godina ishin ndërtuar mbi tubacionin kryesor të ujësjellësit", thanë burimet zyrtare. Të njëjtat burime theksuan se operacioni i koduar "Pastrimi i Rivierës" ka vijuar pranë Varrezave të Dëshmorëve, duke prishur të gjitha muret rrethuese që pengonin rrugën e re Qafë Gjashtë-Sarandë, me gjatësi 2 kilometra. Operacioni "Pastrimi i Rivierës" vlerësohet si ndërhyrja më e madhe pastruese realizuar ndonjëherë në jug të vendit. Sipas INUK, gjatë 10 ditëve të fundit janë shembur 140 nga 260 objekte pa leje që parashikohen të prishen në zonën bregdetare./s.s./
KOMENTE