English

Filmat E Viteve '70-'80 Në "Nostalgjinë E Kinemasë"

TIRANË, 5 Qershor/ ATSH- Suada Daci/.- Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit (AQSHF) do të sjellë për dy javë (5-18 qershor) nëpërmjet aktivitetit "Nostalgjia e kinemasë", prodhime të njohura të kinematografisë botërore, në sallat e Kinemasë Imperial pranë Qendrës Kristal. Gjatë kësaj periudhe do të shfaqen për publikun 45 filma, prodhime të kinematografisë botërore si, "Shamikuqja", "Helena e Trojës", "Gruaja më e bukur", "100 ditë në Palermo" etj. Këto filma kanë qënë pjesë e fondit filmik të AQSHF-së, të cilët kanë qarkulluar nëpër ekranet e kinemave tona në vitet '70-'80 dhe janë ndjekur me shumë interes nga publiku. "Nostalgjia e kinemasë", kjo nismë e AQFSH-së, synon të rizgjojë tek publiku i moshës së tretë tashmë, emocionet e dikurshme që u kanë dhënë këto filma, por edhe t'ua paraqesë më të rinjve, të cilët i njohin si tituj, por nuk kanë pasur më rast t'i ndjekin në kinema këto filma. Kjo është një mënyrë e mirë për të tërhequr drejt magjisë së kinemasë të dy brezat, me filmat e përzgjedhur që janë perla të kinematorafisë botërore. Shpërndarja e filmave do të jetë 3 tituj në ditë me nga 2 herë shfaqje, paradite dhe pasdite. /a.ke/
KOMENTE