English

Kukës: Dita Ndërkombëtare E Mjedisit, Bimët Endemike Në Zhdukje

KUKËS, 5 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Në ditën ndërkombëtare të mjedisit specialistët bëjnë thirrje për mbrojtjen e bimëve endemike. "Jo vetëm në këtë ditë, por çdo ditë të gjithë duhet të angazhohen për mbrojtjen nga zhdukja të këtyre bimëve," thotë specialisti Besnik Hallaçi. Sipas tij, kjo është veçanërisht e domosdoshme për qarkun e Kukësit, në masivet pyjore të të cilit ende gjenden 16 lloje bimësh endemike, nga 32 të evidentuara në shkallë vendi. "Rëndësia e parandalimit të zhdukjes së tyre ende nuk njihet nga komuniteti, ndaj në këtë drejtim duhet punuar nga ne specialistët. Se janë 32 lloje bimësh që rriten vetëm në Shqipëri, prej të cilave 16 janë në qarkun e Kukësit", shton Hallaci. Këto lloje bimësh që janë evidetuar vetëm në Shqipëri nuk kanë emra të zakonshëm, por vetëm emërtimin shkencor të tyre. Sipas Hallaçit, asyneuma comosiformehayek et Janchen rritet vetëm në malin e Gjallicës, centaurea candelabrum hayek et kosanin ndodhet rritet në pyjet e zonës së Kolshit, gentiana pneumonanthe L rritet vetëm në zonën e qafë Luzhës në rrethin e Tropojës, viola dukadjinica rritet në Majën e Hekurave në rrethin e Tropojës etj. Në ditën ndërkombëtare të mjedisit u organizua edhe një veprimtari me vullnetarë të mbrojtjes së mjedisit ku mori pjesë edhe kryetari i këshillit të qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka./ch/
KOMENTE