English

Koment - Ekonomi - Bce, E Tronditur Nga Kriza, Duhet Të Shtojë Përpjekjet Për Qetësimin E Tregjeve

FRANKFURT (Gjermani), 6 qershor /ATSH-AFP/ - Me njollosjen e besueshmërisë dhe mosmarrëveshjet e brendshme ylli i Bankës Qendrore Evropiane perëndoi që pas marrjes së vendimit për të ndihmuar vendet e zonës euro duke blerë obligacione dhe presidentit të saj Jean-Claude Trichet do t'i duhet të rrisë ndjeshëm përpjekjet për qetësimin e tregjeve. Këshilli i guvernatorëve, që mblidhet të enjten si çdo muaj, pritet të mbajë të pandryshuar vlerën e këmbimit në 1 për qind, sipas ekonomistëve, të cilët presin veçanërisht deklaratat e presidentit francez të BCE-së gjatë konferencës tradicionale të shtypit. Sipas Jennifer McKeown i Capital Economics, me siguri ai do të vazhdojë të garantojë tregjet monetare shumë të acaruar nga ndihma e BCE-së dhe do t'u kërkojë përsëri shteteve të zonës euro të ndërmarrin masa të guximshme për shëndoshjen e buxheteve të tyre. "Ai do të përpiqet gjithashtu të mbrojë pavarësinë e BCE-së pas aludimeve të fundit se ajo është influencuar tepër nga qeveritë", shprehet ekonomisti. Sipas disa ekspertëve, ndërhyrjet e shumta të Trichet dhe të bankierëve të tjerë kryesorë që kur BCE-ja filloi të blejë obligacione nga shtete në vështirësi të mëdha buxhetore, si Greqia, Irlanda, Spanja dhe Portugalia, për t'i kthyer besimin institucionit, kanë dështuar. Euroja vazhdoi rënien përballë dollarit, duke shënuar të premten kuota të tjera më të ulëta që prej katër vjetëve, që arritën nën 1,20 dollarë. Dyshimet për suksesin e planit të shpëtimit të Greqisë dhe të mekanizmit mbështetës të zonës euro të miratuar nga qeveritë, fakti që BCE-ja nuk mund të rrisë vlerën e këmbimit pa kaluar një kohë shumë e gjatë, duke parë krzën buxhetore: argumentet kundër valutës evropiane nuk mungojnë, thekson Commerzbank në një shënim. Informacionet e dhëna nga BCE-ja janë të pamjaftueshme dhe shpjegojnë gjithashtu pjesërisht tensionin e rishfaqur së fundi në tregje, thekson Marco Annunziata, ekonomist i UniCredit. Sipas tij, "mungesa e transparencës së BCE-së lidhur me programin e saj të blerjes së obligacioneve ka krijuar një terren pjellor për zëra dhe hamendësime". Institucioni të paktën mund të saktësojë predharjen e titujve që ble. Kështu, aktorët e tregut do të mund ta bënin më mirë dallimin mes vendeve, duke zvogëluar rrezikun për shqetësim të pabazë për përhapjeje të krizës. Kohët e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar e gjykoi të nevojshme që BCE-ja "ta bëjë më të qartë komunikimin dhe t'i bindë tregjet se do të vazhdojë, nëse do të jetë e nevojshme, të blejë obligacione. Mosmarrëveshjet brenda BCE-së janë gjithashtu një faktor shqetësimi. Presidenti i Bundesbank Axel Weber, kandidat zyrtar i Berlinit për të zëvendësuar Jean-Claude Trichet vitin e ardhshëm, përsërit pa u lodhur skepticizmin e tij lidhur me blerjen e obligacioneve publike. Ai dyshon në efektet e saj inflacioniste, edhe pse BCE-ja tërheq nga tregjet likuiditete të barabarta me shumën e blerjeve të saj, dhe shqetësohet për një politizim të institucionit. Gjermanët nuk i kursyen kritikat për Jean-Claude Trichet, pasi pavarësia e Bundesbank gjithmonë është lavdëruar shumë, edhe pse asaj i është dashur të tërhiqet përpara pushteteve politike gjatë ribashkimit gjerman dhe të pranojë një barazi mes markës së perëndimit dhe asaj të lindjes. Megjithatë, një editorialist i gazetës së rretheve të biznesit "Handelblat" është shprehur së fundi se në një kohë kur disfata buxhetore e Greqisë rrezikon ta çojë në humnerë të gjithë zonën euro, BCE-ja u përul përpara "nevojës politike" më tepër se sa "presionit politik". Sipas tij, kritikët e Jean-Claude Trichet thjesht nuk kanë nuhatjen e duhur për të kapur atë që është politikisht e arritshme". /I.Pu.
KOMENTE