English

Nostalgjia e kinemasë në “Imperial”

Tiranë, 6 qershor, NOA, Milena Selimi - Arkivi Qendror i Filmit ka vendosur të ‘nxjerrë’ nga sirtarët filmat e fjetur, pronë e çmuar e këtij institucioni për t’i shfaqur në ekranin e madh në kryeqytet.

Nëndrejtori Slatina shprehet se “qëllimi është prezantimi i kësaj trashëgimie për shikuesin dhe në të njëjtën kohë riciklimi i filmave që kanë dyzet vjet të kyçur në dhomat e ftohta të Arkivit”.

Ky aktivitet, i cili organizohet nga AQFSH-ja dhe Kinema Imperial ka për synim të afrojë një publik të moshës së tretë, apo ndoshta edhe ndonjë të moshës së re pranë kinemasë.

Nga data 5-18 qershor do të shfaqen 45 filma italianë, francezë, gjermanë, indianë, rusë, rumunë, argjentinas, meksikanë, që u takojnë viteve '50, '60 por më të shumtët janë të viteve '70, '80. Çdo ditë shfaqen tri filma nga paraditja deri pasdite.

"Nostalgjia e kinemasë" shënon emra të njohur regjisorësh që shfaqen nga kinemaja italiane: "100 ditë në Palermo" (1984) i Giuseppe Ferraras, "Hakmarrja e Ivanhoes" (1965) i Tanio Boccias, "Gruaja më e bukur" i Damiano Damianit (1970), "E zonja e bujtinës" (1980) i Paolo Cavaras, "Mafia me bluzë të bardhë" (1973) i Luigi Zampas, "E dashura ime Libera" (1973) i Mauro Bologninit.

Nga kinemaja franceze: "Shën Mëria e Parisit" (1956) i Jean Delannoyt, "FanFan Tulipan"(1952) i Christian Jacques. Filmat rusë: "Ata qenë të parët" 1956 Yuri Yegorov, "Ai do të kthehet përsëri" i Pirjev; filmat indianë "Vagabondi" (1951) dhe "Zotnia 420" (1955) i Raj Kapoorit, filmi i njohur turk "Shamikuqja" (1977) e Atif Yilmaz etj.

Nga organizatorët mendohet se këta filma nuk janë thjesht nostalgji, por janë kryevepra të çdo kohe e çdo brezi me aktorë protagonistë në këto filma, si: Ugo Tognazzi, Gina Lollobrigida , Anthony Quinn, Jean Gabin, Alain Delon, Lino Ventura, Giuliana de Sio, Audrey Hepburn, Ornela Muti, Adriano Celentano, Raf Vallone, Antonella Lualdi, Gérard Philipe etj.

m.s/NOA

KOMENTE