English

Shkoder: Sara 5-Vjecare Fiton Konkursin "Miss Zagari"

SHKODËR, 6 Qershor/ATSH-G. Marku/- Jemi mësuar të ndjekim shpesh herë konkurse bukurie, të vajzave e djemve të bukur shqiptarë, apo edhe më tej, por ketë radhë në garë janë vënë zagarët e gjuetarëve shkodranë, të cilët konkuruan në konkursin "Miss Zagari", të organizuar nga shoqata e gjuetarëve "Jakup Bajri" në qytetin e Shkodrës, në bashkëpunim me shoqatën kombëtare të gjuetisë si dhe shoqatën homologe në Ulqin të Malit të Zi. Aktiviteti është organizuar në pikën turistike të Shirokës dhe në të kanë marrë pjesë mbi 20 zagarë të racave të ndryshme, të cilët janë prezantuar përpara jurisë së përbërë nga specialistë të fushës së gjuetisë dhe të veterinarisë. Votat më të shumta në komision i ka marrë zagari i quajtur "Sara" me moshë 5 vjeçare, raca e të cilit është Seter Italiane. Zyhdi Mustafa, kryetar i Shoqatës së gjuetarëve shkodranë, tha për ATSH-në se ky aktivitet, i cili në Shkodër organizohet rregullisht në 3-4 vitet e fundit, synon të kthehet në një traditë. Konkursin në fjalë e ka vlerësuar edhe sekretari i përgjithshëm i konfederates së gjuetisë shqiptare, Thimi Perri, i cili ka propozuar që tradita e mirëfilltë e krijuar në qytetin e Shkodrës të shtrihet edhe më tej. Sipas tij, shumë shpejt mendohet që një konkurs i tillë të organizohet në shkallë vendi për të përcaktuar "Miss zagarin shqiptar", aktivitet që, sipas tij, do të tërhiqte jo pak interesin e opinionit. /a.ke/
KOMENTE