English

Berisha: Ata me shpifje, ne me shkolla të reja; ata me mashtrime, ne me rrugë të reja

Tiranë, 7 Qershor, NOA – “Kjo është një Shqipëri me diell dhe qiellin e ka të pastër, por po përpiqen ta nxijnë atë dhe të luajnë shumë me interesat tuaja. Këta shokë apo zotërinj duan me çdo kusht të shkelin mbi interesat tuaja dhe të fëmijëve tuaj”.

Kështu u është drejtuar kryeministri Berisha banorëve të Farkës gjatë inaugurimit të shkollës 9-vjeçare në këtë komunë të kryeqytetit, duke theksuar se “ata do vazhdojnë me shpifje, ne me shkolla të reja; ata me mashtrime, ne me rrugë të reja”.

“Sot ju mblidheni në këtë shesh pasi 27 vende të BE-së vendosën që të hapen negociatat për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian dhe pasi është rekomanduar heqja e vizave. Jemi në Shqipërinë ku rrogat dhe pensionet rriten më shumë se në çdo vend të botës. I numërova këto për t’i bërë apel kujtesës suaj për përpjekjet e turpshme u bënë që t’ju mashtrojnë”, apeloi më tej kreu i qeverisë.

Duke iu referuar përfaqësuesve të opozitës, ai tha se pasi nuk morën pushtetin që s’meritonin, ata hodhën baltë mbi arritjet e vendit.

“Kur ne prisnim vendimin për heqjen e vizave, ata ngulën çadrat para Kryeministrisë, duke kryer një akt të turpshëm kundër interesave të shqiptarëve”, shtoi ai lidhur me një fakt të tillë.

Duke u bërë thirrje në fund të fjalës së tij, banorëve të Farkës që të shohin para, me fjalët “të jemi të vendosur dhe të bashkuar që t’u themi këtyre zotërinjve me trashëgiminë më të keqe të baballarëve, se po i pengoni këta qytetarë të takojnë fëmijët e tyre në BE”.

n.e/NOA

KOMENTE