Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Bizneset E Drejtuara Nga Gratë Po Tentojnë Suksesin E Sigurt
English

Bizneset E Drejtuara Nga Gratë Po Tentojnë Suksesin E Sigurt

- Intervistë me zv/ministren e Punës, Filloreta Kodra- TIRANE, 7 Qershor/ATSH-Erla Gjikolli/.-Gratë në Shqipëri drejtojnë aktualisht mbi rreth 30 mijë biznese të vogla. Ndonëse numri i bizneseve të mesme dhe të mëdha, të drejtuara nga gratë është ende i vogël, ato që po zhvillohen, po tentojnë suksesin e sigurtë. Vendi ynë, sipas zv/ministres së Punës, Filloreta Kodra, është i favorshëm për zhvillimin e bizneseve të drejtuara nga gratë. "Kjo për dy arsye: nga njera anë kjo lidhet me faktin se vendi ynë është kthyer në një vend që afron stabilitet në rajon, dhe nga ana tjetër, sepse tregjet e reja që kanë nevojë për produkte dhe shërbime, hapin perspektiva për zhvillimin e bizneseve që drejtohen nga gratë", argumentoi Kodra në një intervistë për ATSH. Ajo vuri në dukje së pjesëmarrja e gruas në tregun e punës përbën një nga treguesit kryesorë të pabarazive gjinore në shoqëri, pasi shkalla me të cilën gratë marrin pjesë në tregun e punës është nga treguesit më të rëndësishëm mbi statusin dhe shkallën e lirisë së gruas në shoqëri. Gratë përbëjnë, nga ana tjetër, edhe një forcë të madhe në sektorin prodhues, ku vihet re se rreth 73,4% e numrit të përgjithshëm të punëmarrësve janë femra. Në këtë aspekt, zv/ministrja Kodra përshëndeti këto gra, të cilat bëjnë të mundur punësimin e grave të tjera, duke dhënë kontribut konkret në zbutjen e varfërisë në vend dhe në zhvillimin ekonomiko-social të tij. Krijimi i një lobingu të grave që merren me biznes, vijoi ajo, synon mbështetjen, zhvillimin e bizneseve të drejtuara nga gratë, por mbi të gjitha është edhe një mënyrë që lufton barazinë gjinore në të gjitha drejtimet. Angazhimi i grave në tregun e punës në Shqipëri shpesh kufizohet ose sfidohet nga një sërë faktorësh ose stereotipesh si: formimi arsimor tradicional, praktika diskriminuese të punësimit, aksesi për trajnim dhe formim profesional, etj. Sipas zv/ministres Kodra, femrat janë të punësuara më tepër në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit dhe më pak në sektorë të tjerë, përfshirë bar-restorante, prodhimi, tregtia, etj. Sipas studimit të forcave të punës për vitin 2009, të publikuar nga INSTAT, diferenca në pagë midis femrave dhe meshkujve rezulton në një shifër prej 19,2%. Ministria e Punës, në programet e nxitjes së punësimit dhe përmes kurseve të formimit profesional në qëndrat publike e private, synon të realizojë një shpërndarje sa më të mirë të kurseve si për femrat dhe për meshkuj në koherencë me kërkesat e tregut të punës. "Aplikimi i tarifave falas për vajzat dhe gratë në nevojë është një prioritet ku me përparësi trajtohen gratë dhe vajzat nga komuniteti rom, gra e vajza të trafikuara, të dhunuara, gra kryefamiljare, etj", detajoi Kodra. Një drejtim tjetër i rëndësishëm, sipas saj është ndjekja e zbatimit të legjislacionit të punës, sensibilizimi i grave dhe vajzave për të drejtat e tyre në fushën e punësimit dhe marrëdhënieve të punës. "Realiteti i shoqërisë shqiptare flet për mungesë të barazisë gjinore, moskuptim dhe për pasojë mospranim të saj", pohoi Kodra, duke shtuar se "në këtë kontekst merr rëndësi të madhe roli i medias si agjent i ndryshimit, si sensibilizues i shoqërisë e përçues i zhvillimit të shoqërisë shqiptare". Duke iu referuar statistikave në procesin e vendimmarrjes politike dhe publike, rezulton se vendet drejtuese jane të dominuara kryesisht nga burrat. Në Kuvend nga 140 deputetë, 23 ose 16.4 % e tyre janë gra, ndërsa në qeveri nga 14 ministra, 1 është grua ose 7.14 %, dhe nga 35 zëvendesministra, 9 janë gra ose 25,7%. Nga 12 prefektura, vetëm njera prej tyre drejtohet nganjë grua. Kryetarja e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorja e Përgjithshme aktualisht janë gra. Po ashtu edhe pozicione drejtuese të institucioneve të tjera qëndrore mbahen nga gratë ( si Komisioneri për Antidiskriminimin, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, etj). Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Ambasadat dhe në Misionet Diplomatike të Shqipërisë gratë përbëjnë 31% të përfaqësimit , nga të cilat ambasadore 14%. Ndërsa në administratën publike prania e grave në nivel specialisti përbën rreth 43 % të numrit të përgjithshëm të punonjësve, në postet drejtuese gratë zënë 27 % të tyre. Në qeverisjen vendore, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit lokale 2007, ka 1 kryetare bashkie nga 65 bashki ose 1.5%, 9 gra kryetare të Këshillave Bashkiakë ose 16%. Ndërsa anëtare gra të Këshillave Bashkiakë janë 157 nga 1178 gjithsej ose 13.3.%. Nga 11 kryetarët e minibashkive të Tiranës 3 janë gra ose 27.3%. Janë 6 kryetare komune nga 309 gjithsej ose 1.9% e tyre. Qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit ka ndërtuar bazën institucionale për rritjen dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së gruas në jetën politike, ekonomike dhe sociale në vend. Një masë e rëndësishme, sipas Kodrës, është hartimi dhe miratimi i Ligjit "Për barazinë gjinore në shoqëri", ku ndër risitë më të rëndësishme ishte vendosja e kuotës jo më pak se 30% në listat e kandidatëve për zgjedhjet. Aplikimi i kuotës 30%, të sanksionuar në Kodin Zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të Qershorit 2009, solli si rezultat dyfishimin e numrit të grave deputete. Zv/ministrja Kodra tha se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po punohet, që masat pozitive të kuotës neutrale gjinore në masën mbi 30% të aplikohen edhe në organet e tjera ekzekutive e gjyqësore. Kodra vlerësoi se ka arritje në drejtim të aksesit të barabartë në arsimim për femrat dhe meshkujt. Në universitete stafi akademik përbëhet nga 43,6% gra përkundrejt 56.4% burra. Ndërkaq gra me grada shkencore janë 38% (për vitin 2008). Nga 10 rektorë asnjë nuk është grua, zv/rektorë nga 10 janë vetëm 3, ose 23% janë gra. Ndërsa në nivelin e dekanëve gra janë 11 ose 27% kundrejt 29 ose 72 % burra. Megjithatë, vuri në dukje Kodra, ka raste kur realiteti shoqëror dhe kulturor justifikojnë sjelljen që vajzat më shpesh dhe më shpejt se djemtë braktisin shkollën për të dhënë kontributin e tyre në ekonominë familjare, apo për t'u martuar në moshë tepër të re. Zv/ministrja gjykon se janë edhe ndryshimet demografike në Shqipëri shkaku që ka sjellë ndryshime në strukturën e familjes shqiptare. Megjithë tendencat drejt mënyrës moderne të funksionimit, përgjithësisht modeli i marrëdhënieve dhe kultura e familjes, ruajnë tipare autoritare të mbizotërimit të meshkujve, tipare këto që manifestohen në praktika dhe qëndrime patriarkaliste në marrëdhëniet e brendshme dhe veçanërisht në qëndrimin ndaj grave dhe vajzave. Një nga drejtimet ku qeveria dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta kanë punuar me përparësi ka qenë parandalimi dhe marrja e masave kundër dhunës ne familje. Përveç dispozitave të Kodit Penal, mbrojtja e grave nga dhuna e në veçanti nga dhuna në familje, garantohet edhe nga Ligji "Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare", i cili ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2007. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, çdo njeri është i lirë që në lindje dhe i barabartë përpara ligjit pa asnjë dallim për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, etj. Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë aspekte të rëndësishme të parimit të barazisë. "Por, zbatimi i këtij parimi në praktikë mbetet ende i vështirë", deklaroi Kodra, sipas të cilës tradita maskiliste që forcon stereotipet gjinore të ndeshura në fusha të ndryshme të jetës private e publike pengon veçanërisht gruan të avancojë në realizimin de facto në të drejtat të saj./s.s./
KOMENTE