English

Sport- Afrika E Jugut, Gati Për Botërorin 2010

TIRANË, 7 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Në rrugën midis aeroportit dhe qytetit, komunat e zeza të Kejp Taunit i shmangen me shpejtësi syrit të vizitorëve të huaj. Aty jetojnë një milionë e gjysëm njerëz dhe shumë kanë menduar se, nëse do të kishte patur probleme për sigurinë e Botërorit, do të kishin ardhur prej aty. "Askush nuk do ta prishë Botërorin", ka bërë të ditur ministri i policisë, Mtetua. Dhe në fakt, kur kanë mbetur edhe 4 ditë nga fillimi i kampionatit botëror, gjithçka po ecën në rrugën e duhur, teksa Afrika e Jugut duket se është gati për momentin e madh. - Siguria Do të jenë 44 mijë policët, që do të kenë për detyrë të ruajnë sigurinë e Botërorit, me 39 helikopterë dhe 55 mijë policë të tjerë në gatishmëri. Qeveria afrikanojugore ka shpenzuar deri tani 67 milionë euro dhe parashikon të shpenzojë edhe 64 milionë të tjerë. Rreth stadiumeve qëndrojnë mjete të blinduara dhe mund të vihen re bateritë antiajrore që janë montuar që tani. - Investimet Qeveria afrikanojugore ka shpenzuar 1,2 miliardë euro për rregullimin e autostradave dhe 1,8 për aeroportet. Polemika kanë lindur për sistemin e ri të autobusëve urbanë të shpejtë (BRT), që kanë filluar të punojnë në Johanesburg dhe këto ditë do të fillojnë edhe në Kejp Taun. Autobusët do të jenë gratis dhe do të udhëtojnë 18 orë në ditë, duke bërë të mundur kështu ndalimin e trafikut të makinave 7 orë para çdo ndeshjeje. Ky fakt ka sjellë edhe reagimin e mijëra shoferëve të taksive kolektive që për më pak se një euro lëvizin nga njëra anë e qytetit tek tjetra. - Stadiumet Dhjetë stadiumet janë gati. 900 milionë eurot e shpenzuara duken qartë. Do të mund të presin në total 570 mijë njerëz. Më i madhi është "Soccer City" i Johanesburgut (kapaciteti 95 mijë), më tërheqësi "Moses Mabhida" në Durban. Deri tani janë shitur më shumë se 2,5 milionë bileta, gjysma në Afrikën e Jugut dhe ndjekin Amerika (130 mijë) e Anglia (97 mijë)./s.s./
KOMENTE