English

Berisha Vlerëson Mbështetjen E Berzh-It Në Sektorët Me Rëndësi Të Ekonomisë Shqiptare

- Kryeministri Berisha takon Drejtorin për vendet e Ballkanit Perëndimor të BERZH, Claudio Viezzoli- TIRANË, 9 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot, mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në financimin e projekteve në sektorë me rëndësi për ekonominë shqiptare, të shtrira kryesisht në sektorin e transporteve dhe atë të energjisë. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kreu i Qeverisë priti sot në një takim Drejtorin për vendet e Ballkanit Perëndimor të BERZH, Claudio Viezzoli. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare, për realizimin e projektit të unazës së Tiranës, duke e vlerësuar atë si një nga projektet shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe të kryeqytetit, por edhe si një projekt në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ndërsa, z. Claudio Viezzoli vlerësoi progresin pozitiv të bashkëpunimit me qeverinë shqiptare dhe e informoi për zgjerimin e këtij bashkëpunimi me financimin e projektit për studimin e fizibilitetit të projektit të hekurudhës Tiranë - Durrës, i cili do të përfshijë edhe aeroportin e Tiranës. Kryeministri Berisha e falenderoi për këtë vendim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe i kërkoi Zotit Viezzoli mundësinë e zgjerimit të këtij studimi, në mënyrë që të përfshijë dhe zonën e Golemit. Disa nga projektet kryesore të cilat janë financuar nga BERZH-i janë rehabilitimi i rrugës Fier-Tepelenë, projekti i zhvillimit të rrugëve bashkiake, projekti i rrugës Levan - Vlorë, projekti i rrugëve rajonale dhe lokale dhe projekti i Portit të Durrësit. Ndërsa në fushën e energjisë BERZH ka financuar projektin e nënstancioneve të transmetimit të energjisë dhe të TEC-it të Vlorës. /m.m//a.ke/
KOMENTE