English

Çështja "Hoxha", Loshaj Mund Të Dëshmojë Ne Kosovë

TIRANË, 9 Qershor/ATSH/.- Avdyl Loshaj, një nga dëshmitarët kryesorë të çështjes për zhdukjen e shqiptaro- maqedonasit Remzi Hoxha në vitin 1995 në Tiranë, mund të dëshmojë për ngjarjen në Kosovë. Gjatë seancës së radhës, së zhvilluar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda, përfaqësuesi i Prokurorisë njoftoi se dëshmitari Loshaj ka shprehur kërkesën për të dhënë dëshminë e tij për çështjen në Kosovë. Megjithatë, sigurimi i dëshmisë së tij në Kosovë, mbetet një mundësi për t'u parë, pasi janë autoritetet në Kosovë ata që duhet të japin më parë miratimin ose jo të një kërkese të mundshme të autoriteteve shqiptare për organizimin e një seance të posaçme për marrjen në pyetje të dëshmitarit Loshaj. Sikurse ka njoftuar vetë dëshmitari Avdyl Loshaj, që jeton në Holandë, ai do të bëjë pas disa ditësh një vizitë në Kosovë, ku dhe ka kërkuar që të dëshmojë për llogari të drejtësisë shqiptare. Ai e ka justifikuar mosardhjen e tij në Shqipëri për arsye të sigurisë së tij. Dëshmitari Loshaj është një nga personat që mendohet se ka dijeni për ngjarjen që lidhet me zhdukjen e shtetasit Remzi Hoxha në 1995 në Tiranë. Hoxha mendohet se është rrëmbyer nga struktura të Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), sot Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), për motive që ende mbeten për t'u zbardhur. Gjithashtu, në seancën e sotme u njoftua edhe për marrjen në pyetje pas disa ditësh në Itali, për llogari të drejtësisë shqiptare, të dy dëshmitarëve të tjerë të procesit, ish- punonjësit e SHIK-ut Martin Miraj dhe Riza Shehu. Si të pandehur në këtë proces janë katër ish- punonjës të SHIK, që akuzohen për rrëmbim me pasojë zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në 1995 në Tiranë. /a.m/s.s./
KOMENTE