English

Gjenden 201 bimë kanabis në kodër, ndiqet përgjegjësi i kadastrës së komunës

Mallakastër, 9 Qershor, NOA – Në një parcelë të ndarë në tre pjesë, rezultonin të mbjella 201 bimë narkotike të dyshuara si të llojit “kanabis sativa”, fakt ky që u zbulua nga forcat policore të Mallakastrës gjatë një kontrolli në kuadër të planit të masave për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke bërë me dijeni se parcela në fjalë është konstatuar konkretisht në kodrën e quajtur “Lorica” të komunës Kute në Mallakastër.

Strukturat e policisë kanë përgatitur materialet për fillimin e procedimit penal në gjendje të lirë mbi veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, në ngarkim të 63-vjeçarit Musa Hoxha, përgjegjës i kadastrës së komunës Kute.

Procedimi penal ndaj tij filloi pasi ky punonjës komune nuk ka kryer verifikimin për të gjithë parcelat e tokës që ka në juridiksion ajo, duke mos përcaktuar kështu pronësinë mbi parcelën në të cilën u konstatuan të mbjella bimët e dyshuara si kanabis sativa.

Ndërkaq, nga ana e policisë po punohet për zbulimin e autoreve të kultivimit të sasisë së bimëve të mësipërme, ndërsa materialet proceduriale iu referuan prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE