English

Kosova Ne Axhenden Evropiane Me Hapa Konkrete Per Realizimin E Prioriteteve

PRISHTINË, 9 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Me intensifikimin dhe avancimin e Axhendës Evropiane, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të marrin hapa konkretë për realizimin e prioriteteve kyçe, të cilat adresojnë sfidat e Partneritetit Evropian dhe Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit, theksohet në konkluzionet e takimit te Këshillit Ministror për Integrime Evropiane, mbajtur sot në Prishtinë. "Besojmë se sivjet ka një shkallë të përmirësimit në raport me kontributin e kaluar për Raportin e Progresit", ka theksuar në këtë takim kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse "një planifikim më realist, një qasje më strategjike dhe afatgjatë, që do ketë synim primar implementimin e reformave që kërkohen në kuadër të Axhendës Evropiane të Republikës së Kosovës". Ndërsa ministri i Integrimit Evropian, Besim Beqaj, tha se "kontributi i Kosovës për Raportin e Progresit të Komisioni Europian për vitin 2010 është përgatitur në saje të zhvillimeve të vendit" dhe se "përmban të dhëna nga zhvillimet për periudhën shtator 2009 - qershor 2010". "Kërkohet nga Ministria e Integrimit Evropian që në bashkëpunim me ministritë e tjera të fillojë përgatitjet për dhënien e kontributit të nevojshëm për Takimin Plenar të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit që do të mbahet në fillim të muajit korrik", thuhet në konkluzione. Edhe në takimin e sotëm u theksua se "Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të thellojë më tutje bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e drejtësisë, rendit dhe ligjit dhe në veçanti me shoqërinë civile, si partnerë në implementimin e Axhendës Evropiane". /a.ke/
KOMENTE