English

Kosove - Kuçi-Selmani: Mbeshtetje E Plote Avancimit Te Pozites Se Shqiptareve Ne Maqedoni

PRISHTINË, 9 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi riafirmoi qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen e plotë të avancimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, duke theksuar se implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është mëse i domosdoshëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Kuçi ka pritur sot kryetarin e njërit prej subjekteve politike të shqiptarëve të Maqedonisë, Demokracia e Re, Imer Selmani, bën të ditur zyra e shtypit e Qeverisë së Kosovës. Sipas njoftimit, temë kryesore e takimit ishte gjendja aktuale në Kosovë, Maqedoni dhe rajon, zhvillimet që kanë të bëjnë me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe çështje tjera me interes. Kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani, shprehu mirënjohje për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për të gjitha institucionet e Kosovës për rolin e pakontestueshëm në procesin e avancimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni dhe theksoi se ky proces është në interes të paqes, të stabilitetit dhe të bashkëpunimit rajonal. Në këtë kuadër, ndërtimi i raporteve të fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Maqedonisë, është edhe në interes të shqiptarëve në Maqedoni, u shpreh Selmani në takim. /a.ke/
KOMENTE