English

Ekon-Artan Hoxha: Norma E Interesit Te Kredise, Instrument Kryesor I Kontrollit Te Inflacionit Nga Bsh-Ja

an Hoxhën, drejtor i Institutit për Studime Bashkëkohore- TIRANE, 10 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/ -Drejtori i Institutit për Studime Bashkëkohore, Artan Hoxha, deklaroi sot gjatë një interviste për ATSH-në, se norma bazë e interesit të lekut për kredinë, është instrumenti kryesor i kontrollit të inflacionit nga Banka e Shqipërisë. Pyetje: Cili është mendimi juaj në lidhje me kërkesën e lancuar nga ministri i Financave Ridvan Bode, për uljen e normës bazë të interesit të kredisë, me qëllim nxitjen e investimeve dhe përmirësimin e rritjes ekonomike në vend? Përgjigje: Qoftë nga këndveshtrimi i Ministrit Bode dhe i shumë aktorëve të tjerë të interesit, ulja e normes bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë shihet edhe si mundësi që, në rrethana të tjera të barabarta, dhe për pasojë, të ulet norma se interesit të kredive bankare për bizneset si dhe ulja e normës së interesit të huasë që mund të marrë qeveria. Ky është një këndvështrim i aresyeshëm i qeverisë dhe bizneseve. Por çështja është që norma bazë e interesit është instrumenti kryesor i kontrollit të inflacionit nga Banka e Shqiperise, e cila detyrë të saj parësore ka mbajtjen e inflacionit brenda parametrave të adoptuar. Ndaj ulja e normës së interesit do të shihet nga BSH, në raport me efektet e kësaj uljeje mbi rritjen e mundshme të inflacionit për pasojë përkundrejt faktoreve të tjerë që mund të kontribuojnë në uljen apo rritjen e inflacionit pavarësisht normës bazë të interesit. Në muajt e ardhshëm ka shumë faktorë që flasin për ulje të normës së inflacionit sic janë rënia e cmimeve në sezonin e verës apo fuqizimi i lekut përkundrejt euros, qoftë për shkak të rritjes së eksporteve dhe/ose turizimit e qoftë për vetëdobesimin e euros, që do të thotë edhe ulje relative e çmimeve të mallrave të importit. Gjithsesi nga ana tjetër kemi faktorë dhe risqe që mund të kontribuojnë në rritjen e inflacionit me burim nga jashte vendit që mund të ndikojnë në kursin e këmbimit psh. renia e metejshme e hyrjeve në euro nga emigratet për shkak të thellimit të mundëshëm të krizës në dia vende të zonës euro si Greqia apo Italia, por edhe nga faktore të brendshëm si psh. rritja e priteshme dhe e lartë e pagave në 1 korrik 2010 e deklaruar tashme nga qeveria. Besoj se BSH do të bëjë analizat e duhura dhe do marrë vendimin e duhur lidhur me normën bazë të interesit duke konsideruar në mënyre analitike të gjithë këto faktorë pro dhe kundër kësaj uljeje. Si e vleresoni zhvillimin ekonomik ne vend ne kushtet aktuale ne te cilen ndodhet ekonomia boterore dhe ajo e eurozones? Përgjigje: Sic është tashmë konfirmuar edhe nga institucionet e specializuara ndërkombetare (FMN, BB, EBRD etj) ekonomia shqiptare e përballoi me sukses krizën botërore në vitin 2009, i cili përfundoi me një rritje prej të paktën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që shumë vende të Europës dhe Botës pësuan rënie nën nivelin 0% të rritjes ekonomike. Duket se muajt nentor-dhjetor 2009 dhe Janar dhe ndoshta Shkurt 2010 kanë qënë muajt më të vështirë ku vërehet nje ngadalësim i invesitmeve private dhe publike. Edhe sot investimet private dhe ato publike janë ende në nivele të dobëta, por që gjithsesi vërehet një farë kthese. Kthesa do të varet edhe nga momenti i rritjes së kreditimit. Ndërkaq në këto tre muajt e fundit vërehet një rritje shumë e fortë e eksporteve, fillimi i rritjes normale të importeve dhe një rritje mjaft e mirë e depozitave në banka. Besoj se kjo përbën edhe bazën për rifillimin e rritjes ekonomike pozitive për vitin 2010, vit në të cilin 6 mujori i dytë, do të jetë më i mirë se 6 mujori i parë që po kalojmë, pra një tabllo e kundërt me atë të vitit 2009, në të cilin 6 mujori i parë ishte më i mirë se ai i dytë, për shkak të stimulit fiskal të përdorur nga Qeveria. Gjithsesi kriza botërore veproi dhe po vepron mbi ekonomine shqiptare. Se fundmi mbi ekonomine shqiptare po vepron kriza greke me pasojat e saj në të gjithë eurozonen si dhe mbi ekonominë shqiptare e cilat është mjaft e lidhur me atë greke qoftë për shkak të emigranteve dhe dërgesave të tyre, qofte si treg per eksportet shqiptare e qoftë për importet nga Greqia apo investimet Greke në Shqipëri. Nëse vendet të tjera të eurozonës do të shfaqin probleme, si psh. Italia natyrisht, që këto do të kenë efektet e tyre negative mbi ekonominë Shqiptare. Pra në muajt e ardshëm të vitit 2010 ecuria e ekonomise Shqiptare do të varet nga raporti i forcave mes faktorëve pozitive e negative. Një gjë është e qartë. Ekonomia Shqiptare nuk ka probleme të brendshme. Nese gjithshka do të varej nga faktoret e brendshëm ekonomia shqiptare do të njihte ritme të larta rritjeje për vitin 2010. Por meqë horizonti ekonomik europian nuk është ende i kthjellët atehere ritmet e rritjes së ekonomisë Shqiptare në vitin 2010 do të jenë më të ulta se c'është potenciali i brendshëm i saj. Le të shpresojmë se europa nuk do të ketë probleme të mëdha. Gjithsesi mendoj se skenari me probabël është që viti 2010 për ekonominë shqiptare të jetë jo më i keq se ai i vitit 2009./a.gj/
KOMENTE