English

Familjarët E Punonjësve Të Policisë, Rënë Në Detyre, Më Shumë Përkrahje Nga Shteti

TIRANE 10 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Kuvendi miratoi të enjten p/ligjin "Për mënyrën e trajtimit ekonomik dhe financiar të familjeve të punonjëse të policisë, gardës, shërbimit të kontrollit të brendshëm dhe policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës". Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi në Kuvend se, në këtë ligj është parashikuar që familjet e shtetasve apo të punonjësve të strukturave të tjera shtetërore, të cilët humbin jetën për shkak të detyrës, të përfitojnë ndihmë dhe trajtim financiar. "Është zgjeruar gama e përfitimeve dhe është marrë në mbrojtje familja në tërësinë e saj, duke ofruar një sërë përkrahjesh që nuk ishin parashikuar në ligjet e mëparshme", tha Bode. Në bazë të ligjit, fëmijët e punonjësve që kanë humbur jetën në detyrë, apo për shkak të detyrës, të përfitojnë pension familjar të barabartë me pagën referuese të punonjësit në çastin e humbjes së jetës, derisa secili prej fëmijëve të ketë mbushur moshën 18 vjeç, dhe pas kësaj periudhe e/i veji dhe anëtarët e familjes në ngarkim përfitojnë pension familjar dhe suplementar. Përfitimet që jepen në përputhje me këtë nen parashikohen të vendosen në vlerën 100 % të pagës, sa herë që paga, sipas së cilës është llogaritur ky përfitim, ndryshon. Në bazë të ligjit, për bashkëshortin/en fëmijët nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues dhe personat në kujdestari, është parashikuar të përfitojnë ndihmë të menjëhershme financiare në masën 200 mijë lekë. Gjithashtu ligji parashikon edhe pagimin e shpenzimeve funerale, si dhe trajtimin me bursë të plotë për të gjithë fëmijët e punonjësve, që kanë fituar të të drejtën e ndjekjes së studimeve në institucionet publike. Arrin në 240 numri i punonjësve të Policisë dhe strukturave në varësi të saj të rënë në krye të detyrës. Deri tani Ministria e Brendshme trajtonte financiarisht familjet e të rënëve në krye, apo për shkak të detyrës nëpërmjet akteve nënligjore. Efektet financiare të zbatimit të këtij p/ligji në buxhetin e shtetit janë të vogla./n.m/
KOMENTE