English

Të dehur, shoferi me dy shokë të tij në makinë fyejnë dhe rrahin policin rrugor

Maliq, 10 Qershor, NOA – Në gjendje të dehur, shoferi i një makine, bashkë me dy shokë të tij që kishte brenda saj, kanë ofenduar dhe rrahur policin rrugor që u bënte shenjë të ndalonin se po ecnin me shpejtësi të madhe.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur në qytetin e Maliqit, ku siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore, të tre këta persona janë vënë më pas në pranga për veprat penale “Mosbindje e urdhrit të punonjësit të policisë në bashkëpunim”, “Goditje për shkak të detyrës në bashkëpunim”, “Fyerje për shkak të detyrës në bashkëpunim” dhe “Drejtim mjeti në gjendje të dehur”, të parashikuara këto nga nenet 242,237,239,25 dhe 291 të Kodit Penal.

Ndërkaq, burimet bëjnë me dijeni edhe identitetet përkatëse të të ndaluarve, të cilat janë Helidon Veisllari, 38-vjeç, banues në Maliq; Florenc Veisllari, 28-vjeç, banues në fshatin Libonik dhe Aurel Mara, 38-vjeç, banues në fshatin Sheqeras.

Mësohet se shoferi i mjetit me targë KO 7972 A ka qenë Helidon Veisllari i cili e drejtonte atë në gjendje të dehur.

Ndërsa punonjësi i dhunuar i policisë së rendit, i cili ka qenë në shërbim patrulle në qytetin e Maliqit, konfirmohet se është 43-vjeçari me emrin A.Vila, banues në qytetin e Maliqit.

n.e/NOA

KOMENTE