English

Durrësi Me Botime Dinjitoze Në Panairin E Librit Në Prishtinë

DURRËS, 11 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ -Autorët durrsakë janë paraqitur në panairin e librit në Prishtinë me një stendë të veçantë, ku shquhen disa botime, të cilat u vlerësuan nga lexuesit dhe punonjësit shkencorë kosovarë. Shkrimtari Halim Maloku, i cili drejton stendën me rreth 30 libra të rinj, tha në telefon për ATSH-në se librat me temë nga arkeologjia dhe historia e qytetit antik të Durrësit kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm si botime të fundit nga studiues të njohur të kësaj fushe, si prof. Hava e Sali Hidri, Hasan Ulqini, prof. Afrim Hoti apo prof. Fatos Tartari, por dhe për elementët e rinj nga zbulimet dhe bashkëpunimet me studiues të huaj francezë, italianë dhe anglezë. Lexuesit kanë qenë të interesuar edhe për vëllimet e fundit të revistës shkencore "Dyrrah". "Botimi sipas origjinalit i vëllimit të parë të revistës "Albania" publikuar nga Faik Konica në Bruksel për periudhën mars 1887-prill 1898 është pritur me entusiazëm nga pjesmarrësit e shumtë në panair," shtoi Maloku. Sipas tij, vlerësime të larta për cilësinë dhe parametrat e botimit nga shtëpia botuese DDS kanë mbërritur edhe nga drejtues të qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës. Në stendën e Durrësit kanë zënë vend edhe botime të autorëve Halim Maloku, Ledi Kacani, Myzejen Cullhaj, etj, si dhe disa dokumentarë TV, të realizuar për qytetin bregdetar dhe komunat pranë tij./ch/
KOMENTE