English

Konkurrenca kritikon Bankën e Shqipërisë

Tiranë, 11 qershor, NOA - Banka e Shqipërisë ka rritur më tej barrierat ndaj individëve që kërkojnë të investojnë në bono thesari.

Kritika vjen nga Autoriteti i Konkurrencës, që pas një hetimi në këtë treg, ka kërkuar të rikthehet skema e vjetër, ku cilido që kërkon të investojë në bono ta bëjë këtë pranë sportelit të bankës qëndrore. Aktualisht një individ hap një llogari pranë Bankës së Shqipërisë, ndërsa paratë i arkëton në një nga bankat e nivelit të dytë.

Sipas kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo, i është sugjeruar bankës qëndrore që të pranojë individët në sportelin e saj, për të kryer të gjitha veprimet.

Në bazë të vendimit të këtij institucioni, banka duhet të rikthejë depozitimin “cash” pranë saj, si një mënyrë për të eleminuar kostot e transaksionit në shumat e investuara.

Por problemi nuk qëndron vetëm tek procedurat e ndërlikuara, por edhe tek kostot e fshehta që paguan individi apo subjekti.

Ky i fundit për një investim të tillë paguan dy herë komision, një herë pranë Bankës Qëndrore dhe një herë pranë bankës së nivelit të dytë.

“Problem më vete janë edhe kostot e padeklaruara, qytetari nuk është i informuar për pagesat, pasi askush nuk i informon. Është detyrë e bankës qëndrore që në kuadër edhe të transparencës të kërkoj, por edhe të autorizojë informinin e plotë të këtij procesi”, - vijon më tej Milo.

Blerja e bonove të thesarit mund të kryhet edhe në bankat e nivelit të dytë, por këto të fundit nuk japin informacionin e nevojshëm për shkak se janë të interesuara për depozita. Bonot e thesarit janë letra me vlerë të qeverisë.

Blerja e tyre nga individët ka fitime më të larta se një depozitë në një nga bankat e nivelit të dytë.

r.l/NOA

KOMENTE