Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Tani, edhe me votë
English

Tani, edhe me votë

“Kemi vendosur, në parim, për pjesëmarrje në zgjedhje në të ardhmen. Pra, përveç që tashmë nuk e përjashtojmë mundësinë e pjesëmarrjes, po ashtu mendojmë ta shfrytëzojmë këtë mundësi”

Nga Albin Kurti*

Për pesë muaj me radhë kishim diskutim të brendshëm lidhur me pjesëmarrjen e Lëvizjes sonë në zgjedhje në të ardhmen. Nëpër të gjitha instancat dhe qendrat e VETËVENDOSJE!-s janë paraqitur përparësitë dhe mangësitë, dobitë dhe dëmet e pjesëmarrjes, përkatësisht mospjesëmarrjes, në zgjedhje. Janë debatuar argumentet dhe kundërargumentet për një kohë kaq të gjatë në mënyrë që vendimi ynë të jetë sa më cilësor.

Kemi vendosur, në parim, për pjesëmarrje në zgjedhje në të ardhmen. Pra, përveç që tashmë nuk e përjashtojmë mundësinë e pjesëmarrjes, po ashtu mendojmë ta shfrytëzojmë këtë mundësi.

Duket që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë në këtë vit por në vitin e ardhshëm. Do të kemi shumë pengesa e vështirësi. Ato duhet t’i identifikojmë dhe analizojmë hollësisht në mënyrë që t’i tejkalojmë. Për këtë arsye do të nisim një tjetër diskutim brenda Lëvizjes sonë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk merr pjesë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm vetëm nëse rrethanat në Kosovë cilësisht ndryshojnë shumë duke u bërë të jashtëzakonshme e krejtësisht të tjera.

Ky ndryshim i strategjisë sonë nuk është zëvendësim i mënyrave të veprimit por shtim i tyre. Përmbajtja e strategjisë po rritet. Ky është një mjet më shumë për konceptin dhe qëllimin e njëjtë. Demonstratave, aksioneve protestuese e tubimeve publike po ua shtojmë pjesëmarrjen në zgjedhje.

Sepse, përfaqësimi në institucione është i nevojshëm por nuk mjafton për ta realizuar vetëvendosjen. Vullneti i popullit duhet të shprehet kudo dhe çdo herë. Vullneti i popullit është më i madh se çfarëdo parlamenti e qeverie, porse ai duhet t’i marrë e përfshijë edhe ato.

Në Kosovë, vullneti i veçantë po ngadhënjen mbi vullnetin e përgjithshëm pikërisht për shkak se vullneti i veçantë i ka marrur në dorë institucionet e shtetit. Kjo doemos duhet të ndryshojë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! deri më tani shpesh e ka zvogëluar dhe e ka ngadalësuar të keqen. Tani po vjen koha edhe që ta ndalim atë. Por, jo vetëm kaq. Do të përpilojmë programe shumë konkrete se si të ecim përpara.

Ne jemi të bindur që në Kosovë duhet të ndërrohet pushteti. Ky ndërrim i pushtetit nuk duhet të jetë për hir të ndërrimit të pushtetarëve por për hir të ndërrimit të karakterit të shtetit të Kosovës.

Pra, jo vetëm pushtetarë të tjerë, jo vetëm pushtet tjetër, por edhe tjetër lloj shteti. Sepse Kosovës nuk i mjaftojnë reformat. Kosova nuk ka nevojë vetëm për reformim të kësaj gjendje abnormale por edhe për transformim në një gjendje normale.

Kosova duhet të bëhet nga një shtet që negocion me Serbinë për ndarjen e brendshme të Kosovës, në një shtet që negocion me Shqipërinë për bashkim me të; nga një shtet që është në shërbim të tregtarëve të huaj, në një shtet që i mbështet prodhuesit vendorë; nga një shtet i kontrabandës e korrupsionit në një shtet të zhvillimit ekonomik; nga një shtet që e mbikëqyrin ndërkombëtarët në një shtet që u del në ndihmë qytetarëve; nga një shtet që e përdor pakica për të sunduar me shumicën, në një shtet në funksion të mirëqenies së shumicës.

Transformimi i këtillë sjell ndryshim si të praktikave qeverisëse po ashtu edhe të kulturës politike.

(*) Dërguar nga autori, lider i Vetëvendosjes, Kosovë

KOMENTE