Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fitorja në Prishtinë dhe miti mbi kataklizmin
English

Fitorja në Prishtinë dhe miti mbi kataklizmin

Po pse duhet të krenohet LDK-ja me Prishtinën, kur i ka humbur shumicën absolute të zonave me ndikim në Kosovë?! Sigurisht te kryesia qendrore ndikon sindromi mitologjik i fitores së Pirros, e njohur si miti mbi kataklizmin – përmbytjen e madhe. Por a do mund Pirrua ynë dr. Fatmir Sejdiu me kryesinë qendrore “që humbjen ta kthejnë në fitore?!...”, mbetet të presim gjatë, aq gjatë sa dhe vet miti për fitoren e Pirros.

Nga Shefqet Dibrani

Viteve të fundit kryesia e LDK-së ka bërë arnime me element gjithfarësh për të krijuar imazhin e rrejshëm të rifreskimit me kuadro profesionale dhe personalitete publike të njohura, por pa kërkuar edhe besnikërinë e tyre ndaj LDK-së, normë kjo që duhet të vlej për secilën parti politike, veçmas të atyre që përdorin nocionin “demokratike”.

Përndryshe nëse kryesia qendrore e LDK-së, nuk e ka kuptuar se elektorati i saj është anëtarësia e cila ia jep partisë besimin në sa palë zgjedhje që detyrohet të dal, atëherë po ia rikujtojmë edhe një herë se një verdikt të tillë LDK-së elektorati i saj ia dha edhe në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal, humbje kjo mjaftë e thellë dhe me përmasa shqetësuese.

Po a është shqetësuar kryesia qendrore dhe kryetari Sejdiu “me postin e ngrimë”? Lë për të shpresuar, pasi jo pak ata kanë deklaruar se LDK-ja edhe në këto zgjedhje ka pasur edhe më shumë vota se në zgjedhjet pararendëse, pavarësisht se LDK-ja ishte e vetmja parti që ka pësuar këtë disfatë politike.

Por si mbulesë mashtruese për veten e tyre dhe elektoratin e saj marrin Prishtinën si një qendër urbane dhe me ndikim në gjithë Kosovën, ku LDK-ja fitoi bindshëm. LDK-ja po vazhdon avazin e mashtrimeve duke shkuar drejt humnerës së pakthyeshme. Po në të vërtetë kush i fitoi zgjedhjet në Prishtinë, LDK-ja e cila bëri një fushatë të suksesshme(?!), Isa Mustafa si kandidat i përshtatshëm, apo kemi edhe një të vërteta për të cilën hezitohet të flitet, po më shumë të pranohet si e vërtetë.

Prishtinën nuk e ka fituar Isa Mustafa, sepse ky kandidat për elektoratin e LDK-së dhe për popullin e Kosovës në përgjithësi është i njohur qysh nga ndryshimet Kushtetuese që i ka pasur Kosova në vitet e nëntëdhjeta.

Isa Mustafa është krijesa më monstruoze e LKJ, këtë e di secili, ashtu siç e di edhe ish asistenti i tij Fatmir Sejdiu i cili tashmë me pozitën e “eprorit” e ka privilegjuar Isa Mustafën si askënd tjetër më mirë.

Por “koha e ha kashtën” thotë një fjalë popullore, prandaj më duket se Sejdiu po vepron si po do ai vet, duke shkelur të gjitha parimet demokratike për të cilat ai po rrihet më së shumti.

Për të rehabilituar dhe për ta avancuar Isa Mustafën nuk është dashur të vendos as Kryetari i partisë Fatmir Sejdiu dhe as Kryesia Qendrore e LDK-së.

Për dëmin kolosal që u ka shkaktuar degëve të LDK-së në diasporë ai është dashur të ndëshkohet e jo të shpërblehet siç po bënë Kryetari e Kryesia Qendrore.

Për Isa Mustafën duhet të flasin Degët e LDK-së në Evropën Perëndimore, nga buxheti i të cilave ai jetoi mirë dhe u kthye në Prishtinë për të bërë pazare të reja. Është pikërisht ai Isa Mustafa që kurrë nuk ka bashkëpunuar si duhet me degët e LDK-së, sidomos me ato në Gjermani dhe Zvicër.

Ndoshta ka qenë kjo edhe kërkesë e tij që nga posti i lartë në LDK edhe më tej të hakmerrej për padëgjueshmërinë e këtyre degëve, dhe ndoshta ishte ky shkaku që kryetari i LDK-së i shpartalloi degët e LDK-së në Evropë të cilat në një kohë kanë qenë burimi i vetëm financiar për Kosovën, po më shumë për “Qeverinë Bukoshi” dhe për LDK-në.

Në Prishtinë Isa Mustafa nuk ka fituar si kandidat i mirë e as demokrat. Në Prishtinë ka fituar vetëdija qytetare e prishtinasve, e cila edhe një herë refuzoi politikën e mentalitetit provincial të zonave rurale.

Politikën komuniste dhe të diktatit. Prishtinasit nuk durojnë skema të urrejtjes, të banalitetit dhe të kërcënimeve. Ata, (pra prishtinasit) nuk ia dhanë votën e tyre, atyre që duke pastruar bërllok qelbnin qytetin.

Thjesht prishtinasit nuk ua dhanë votën atyre që sillnin skema skandaloze për një fushatë zgjedhore dhe u përcaktuan jo për Isa Mustafën, e as për Kryesinë Qendrore të LDK-së, ata kishin idealin e tyre për një kryeqytet modern dhe tolerant. Po pse duhet të krenohet LDK-ja me Prishtinën, kur i ka humbur shumicën absolute të zonave me ndikim në Kosovë?!

Sigurisht te kryesia qendrore ndikon sindromi mitologjik i fitores së Pirros, e njohur si miti mbi kataklizmin – përmbytjen e madhe. Por a do mund Pirrua ynë dr. Fatmir Sejdiu me kryesinë qendrore “që humbjen ta kthejnë në fitore?!...”, mbetet të presim gjatë, aq gjatë sa dhe vet miti për fitoren e Pirros.

Qytetari i Prishtinës duhet të krenohet se ka një shpirt demokratik, ka një kulturë urbane dhe doli fitimtar, jo për ta bërë Isa Mustafën kryetar të Prishtinës, por i mbetën besnik konceptit të paqes, durimit dhe urtësisë që ua kishte predikuar çdo të premteje Ibrahim Rugova për të cilin nuk punoi gjë Isa Mustafa.

Përkundrazi vetëm sa e shantazhonte dhe e pengonte në misionin e tij të shenjtë. Në Prishtinë më shumë fitoi rrezatimi i pllakës së mermerit te varri i Presidentit Rugova se sa koka tullace e dr.Isa Mustafës. Të mos më hidhërohet Isai për këtë sarkazëm cinike, por ai duhet ta din se elektorati i LDK-së dhe prishtinasit e dinë fort mirë kush e ka lënë “Engjëllin e Kosovës”, “Presidentin e saj Historik”, pra dr. Ibrahim Rugovën pa para në aeroportet e Evropës, veçmas në atë të Cyrihut, kur dr. Rugova udhëtonte për në Amerikë, te miqtë dhe te aleatët e Kosovës.

Populli i Prishtinës dhe sidomos Dega e LDK-së në Zvicër e ka hequr të zitë e ullirit nga shantazhet e Isa Mustafës, duke grumbulluar para për ta përcjell dr. Rugovën në Amerikë, në kohën kur dr.Isa Mustafa kridhej me Bujar Bukoshin hoteleve luksoze të Evropës. Elektorati i Prishtinës dhe populli i Kosovës e din fort mirë kush e ka lënë Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), pa buxhet, pa rrymë, pa shërbime telefonike. Pra atëherë, dhe në atë kohë kur kjo qendër informative ishte bërë burimi informativ më i besuar për të vërtetën e Kosovës.

Ishte QIK-u dhe Enver Maloku që më së shumti demaskoi dhunën dhe krimin serb në Kosovë, kurse Isa Mustafa me dr. Bujar Bukoshin sabotonin dhe pengonin punën e saj. Tani pikërisht këta dy persona shpërblehen me poste dhe avancohen në pozitat e larta brenda LDK-së në njërën anë, dhe në anën tjetër janë pikërisht po këto dy kreatura që kërkojnë rishqyrtimin e pozitës së LDK-së me koalicionin qeverisës PDK-në.

Thjesht pozita e tyre udhëheqëse krejtësisht varet nga krizat që mund të ketë LDK-ja dhe Kosova në përgjithësi, ashtu siç patën jetuar duke bërë gallatë me popullin e Kosovës, dhe qe besa edhe me Hashim Thaçin gjatë kohës së luftës në vitet ’98 – ’99.

Isa Mustafa e din vet se si e ka financuar luftën dhe me kënd ka koketuar më shumë, ashtu siç mund ta dijë fare mirë edhe për shumë e shumë shantazhe të tjera që ia ka bërë LDK-së dhe Kosovës në përgjithësi. Thirrja e tij duhet të shikohet nga ky prizëm jo ashtu siç po i jep rendësi shtypi dhe televizioni në Kosovë.

Po këto gjëra janë të ditura, madje i ka ditur edhe dr. Fatmir Sejdiu dhe padyshim edhe kryesia qendrore e LDK-së. Po për çfarë interesash klanore e rehabilituan kaq shpejt Isa Mustafën, madje pse e privilegjuan kështu, mbetet për t’u diskutuar (nëse lënë të diskutohet?!), në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie që flitet se do të mbahet, e veçmas duhet të diskutohet në Kuvendin Zgjedhor, i cili po ashtu duhet të mbahet sivjet.

*Autori, është anëtarë i LDK-së që nga viti 1989, për vite të tëra ishte anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër dhe i Nëndegës në Kantonin St. Gallen, ku ai jeton. Ai ka qenë delegat në dy Kuvendet e LDK –së në Prishtinë të mbajtura në vitet 1994 dhe 1998, autor i dhjetë librave të publikuar dhe analist politik në kohët më të vështira që kalonte LDK-ja. Shkrimi është dërguar nga autori. Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë personale

KOMENTE