English

Gruevski: Greqia nuk ndalet, do të bllokojë rishtas integrimin e Maqedonisë

Shkup, 13 Qershor, NOA – Ndërsa pak ditë më parë ishte diplomati europian Ervan Fuere që deklaroi se nuk është e qartë nëse Maqedonia do të jetë në axhendën samitit të Këshillit të Ministrave që do të mbahet në 17 qershor, në Bruksel, sot vetë kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski deklaroi se Brukseli ka marrë informacione të sigurta se Greqia do t’i vërë rishtas veton, bisedimeve për integrimin e shtetit maqedonas në BE.

“Fillimi i bisedimeve me BE-në është ndaluar sërish nga Greqia dhe ne këtë e kemi të qartë, pasi nga vetoja e Greqisë, varet edhe fillimi i diskutimeve tona me BE-në apo jo”, deklaroi kryeministri maqedonas.

Sipas Gruevskit deklaratat e ditëve të fundit janë në frymën që fillimisht të zgjidhet çështja e emrit të Maqedonisë në mënyrë që të nisin bisedimet për anëtarësimin në BE, dhe Greqia sipas informacioneve do t’i krijojë një bllokadë të re Maqedonisë.

Gruevski garantoi përkushtimin e qeverisë së tij për gjetjen e një zgjidhjeje, por me kushtin e vetëm që kjo zgjidhje të mos cënojë identitetin dhe gjuhën maqedonase. Përfaqësuesi i Maqedonisë në Hagë, Nikolla Dimitrov, dorëzoi para disa ditësh në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, argumentet kundër Greqisë, lidhur me kundërshtimin e emrit të Maqedonisë, çështja për të cilën Greqia përdor veton e saj kundër integrimit të Maqedonisë.

çështja e emrit të Maqedonisë ngriti krye kur Maqedonia ngriti padi kundër Greqisë në Gjykatën e Hagës në nëntor të vitit 2009, me arsyetimin se Athina duke bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, në samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut mbajtur në 2008-ën në Bukuresht, shkeli marrëveshjen e përkohshme dypalëshe që funksionon mes Greqisë dhe Maqedonisë, prej vitit 1995.

Por, Athina zyrtare mbrohet me faktin se në samitin e Bukureshtit nuk kishte veto, por konsensus mes anëtarëve të NATO-s, me qëllim që pranimi i Maqedonisë në Aleancë të anullohej deri në zgjidhjen e emrit të Maqedonisë, çështje për të cilën Greqia pohoi se ka kundër-argumente ndaj Maqedonisë, që dëshmojnë se ishte Maqedonia ajo që shkeli marrëveshjen e përkohshme me Greqinë dhe jo shteti helen.

mit/NOA
KOMENTE