English

Kosovë - Isg: Progres Në Forcimin E Institucioneve Shtetërore

PRISHTINË, 14 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Kosova ka bërë një progres të konsiderueshëm në forcimin e institucioneve shtetërore, funksionaliteti i plotë i të cilave mbetet thelbësor, vlerësoi sot Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG), në takimin e njëmbëdhjetë të mbajtur në Prishtinë. "Në dy vitet e fundit Kosova ka bërë një progres të konsiderueshëm në forcimin e institucioneve shtetërore. Përfundimi i kësaj pune dhe funksionaliteti i plotë i këtyre institucioneve, si në frymë, ashtu edhe strukturë, mbetet thelbësor për një Kosovë të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike", theksohet në deklaratën e ISG-së. Po ashtu, "ISG-ja përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të autoriteteve të Kosovës, të theksuar në mënyrë të përsëritur nga Kryeministri Thaçi, për zbatimin e plotë dhe me përpikëri të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin (PGJS)". Në deklaratë, "ISG-ja konfirmon sërish përkushtimin e vet për integritetin territorial të Kosovës". "Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe ISG-ja do të vazhdojë të mbështesë Kosovën për njohje të mëtejshme", thekson deklarata. "ISG-ja beson se mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës paraqet një mundësi që Kosova dhe Serbia të lëvizin përpara në komunikim të drejtpërdrejtë në fushat në të cilat bashkëpunimi do të përmirësojë jetën e qytetarëve të tyre", thuhet në deklaratë. "Bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu janë kyçe për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe integrim në BE", thekson ISG. "ISG-ja përgëzon presidencën spanjolle të BE-së për takimin e nivelit të lartë të mbajtur në Sarajevë më 2 qershor (dhe të paralajmëruar nga Italia në takimin ministror në Pragë në vitin 2009), ku morën pjesë të gjitha vendet e rajonit. Takimi tregoi se zgjidhjet pragmatike për pjesëmarrje në forumet rajonale janë në dobi të të gjithë rajonit", thuhet në deklaratë. ISG-ja i bën thirrje qeverisë dhe institucioneve të Kosovës të përshpejtojnë progresin në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në përmirësimin e dukshëm të kapaciteteve administrative dhe në vendosjen e qartë të sundimit të ligjit. "Një progres i dukshëm në qeverisje do të jetë shumë i rëndësishëm për të siguruar që raporti i ardhshëm i progresit i Komisionit Evropian të përçojë sinjal pozitiv për perspektivën evropiane të qytetarëve të Kosovës", theksohet më tej në këtë deklaratë, ku shtohet se "ISG përshëndet veprimet e EULEX-it në ketë fushë dhe nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të plotë ndërmjet Qeverisë, qytetarëve të Kosovës dhe Misionit Evropian për Sundim të Ligjit". Më tej, "ISG-ja inkurajon përpjekjen e vazhdueshme dinamike për të nxitur serbët dhe komunitetet e tjera të Kosovës për pjesëmarrje aktive në jetën publike, dhe është i inkurajuar me progresin e arritur në Graçanicë, Kllokot-Vërboc, Ranillug, Novobërdë dhe Shtërpcë". Grupi përshëndet dhe inkurajon pjesëmarrjen në zgjedhjet e 20 qershorit në Partesh, qytetarët e të cilit mund të bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre në demokracinë e Kosovës. ISG-ja e rithekson rëndësinë që ka vazhdimi i progresit të decentralizimit - në përputhje me PGJS-në dhe Kushtetutën e Kosovës - që nënkupton sjelljen e qeverisë më afër të gjitha komuniteteve të Kosovës. Në përfundim të deklaratës nga takimi i sotëm në Prishtinë, "ISG-ja përshëndet synimin e BE-së për vendosjen e një pranie të plotë dhe funksionale sipas marrëveshjeve të Lisbonës për të çuar përpara zhvillimin afatgjatë të Kosovës dhe të ardhmen e saj evropiane"./s.s./
KOMENTE