English

Tiranë: Shpërthimi Në Një Banesë, Policia Zbardh Ngjarjen, Arreston Autorin

TIRANË, 14 Qershor /ATSH-M. Shkurta / - Policia e kryeqytetit ka zbardhur sot shkaqet e ngjarjes së mëngjesit të së dielës, kur gjatë nje shpërthimi në një banesë në Saukun e Vjetër, në periferi të Tiranës, kanë humbur jetën dy shtetas, ndërsa janë plagosur tre të tjerë. Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë për shtypi zbardhi motivet dhe detajet e ngjarjes që tronditi dje lagjen Sauk të Tiranës, ku si pasojë e nje shpërthimi humbën jetën shtetasit Xhevdet Xhebrahimi, 71 vjeç dhe shtetasi Luan Brahja, 36 vjeç, me banim në Sauk Tiranë, si dhe janë plagosur lehtë shtetasit Fatbardha, Altin dhe Shpresa Xhebrahimi, përkatësisht 55, 33 dhe 28 vjeç. Sipas kreut të policisë së kryeqytetit, nga hetimet në vendngjarje, rezultoi se lënda shpërthyese ka qënë e vendosur në një televizor, i cili i ishte bërë dhuratë shtetasit Xhevdet Xhebrahimi nga autori i ngjarjes, Luan Dervishi, banues në Picallë te Tiranës, ndaj të cilit u mor masa e menjëhershme e arrestit. Autori i ngjarjes, pasi ka blerë televizorin, ka montuar në të një sasi lënde eksplozive (rreth 600 gram tritol) dhe bashkë me një aparat satelitor, e ka dërguar me një taksist në banesën e shtetasit Xhevdet Xhebrahimi. Sipas Vocaj, shtetasi Xhebrahimi, pasi ka marrë dhuratën, ka thirrur mikun e tij, shtetasin Luan Braja, për të montuar televizorin dhe aparatin digital, ku gjatë montimit është realizuar shpërthimi i lëndës eksplozive. Nga hetimet e kryera, ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi viktima Xhevdet Xhebrahimi, në vitin 1997 ka vrarë më armë zjari për motive të dobta shtetasin Naim Dervishi (i cili është xhaxhai i autorit). Vocaj tha se policia disponon të gjitha provat që implikojnë në këtë ngjarje 25 vjeçarin Luan Dervishi. /a.ke/
KOMENTE